Pyetja:
A lejohet të falesh pas një njeriu që ka cilësitë e munafikut?
***
Përgjigjja:
Dalja imam në namaz përveçse është nder dhe privilegj, në të njëjtën kohë është edhe barrë dhe përgjegjësi. Për këtë arsye imami duhet të jetë person i cili përveçse duhet të jetë i pajisur me dije të mjaftueshme rreth rregullave fetare, duhet të jetë edhe shëmbëlltyrë dhe të ketë virtytet më të mira nga mesi i atyre njerëzve që u prin në namaz. Imami është personi të cilin njerëzit e pasojnë dhe marrin prej tij dituri, këshilla dhe sugjerime. Prandaj, sa më i drejtë dhe i përpiktë të jetë në pasimin e rregullave islame, aq më shumë do të ketë ndikim në udhëzimin e masës së gjerë të njerëzve.
Sa i përket vlefshmërisë së namazit pas imamit që konsiderohet mëkatar, dijetarët kanë dhënë shpjegime të nevojshme. Nëse imami kryen ndonjë mëkat ose ndonjë risi-bidat që konsiderohet mosbesim (kufër apo shirk), atëherë falja e namazit pas personit të tillë është e ndaluar, ngase sipas mendimit unanim të dijetarëve (ixhma), falja e namazit pas personit që ka bërë kufër është e ndaluar, ngase namazi është i pavlefshëm. Mirëpo nëse imami kryen ndonjë vepër që konsiderohet prej mëkateve të mëdha apo kryen në vazhdimësi mëkate të vogla, atëherë sipas mendimit të shumicës së dijetarëve falja e namazit pas personit të tillë është e papëlqyer, por namazi është i vlefshëm. Ky është mendimi i Ehli Sunetit, siç e cek edhe imam Tahaviu në librin e tij për akiden. Ky mendim bazohet në argumente të shumta, por prej tyre përmendim:
1.Thënia e përgjithësuar e të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Njerëzve u prin në namaz ai i cili ka më shumë dituri për librin e Allahut.” [1]
2. I Dërguari i Allahut ﷺ në lidhje me ata imamë-udhëheqës të padrejtë, gjynahqarë, të cilët ua falin njerëzve namazin duke u dalë imamë ka thënë: “(Ata) Ua falin juve namazin, nëse e qëllojnë, shpërbleheni edhe ju edhe ata, nëse gabojnë ju shpërbleheni, kurse mëkati bie mbi ata.” [2]
3.Sahabët r.a. -prej tyre edhe Ibën Umeri- e falnin namazin pas Haxhaxh bin Jusufit, i cili ishte prej njerëzve më zullumqarë që ka njohur historia islame, e dihet fare mirë përpikëria e Ibën Umerit r.a. në pasimin e Sunetit të Pejgamberit ﷺ.
4.Argumenti logjik. Çdokujt që i vlen namazi, i vlen edhe prirja e të tjerëve në namaz-imamllëku, ngase nuk ekziston argument që bën dallimin në mes të vlefshmërisë së namazit dhe vlefshmërisë së prirjes së të tjerëve në namaz, kurse nëse ai bën mëkate, atëherë pesha e mëkatit është mbi atë.
Nga kjo që u tha deri më tani mund të vërtetojmë se lejohet të falet namazi pas imamit që bën mëkate publikisht në raste kur jemi të detyruar, apo në raste kur ekziston rreziku i përçarjes së xhematit. Mirëpo nëse nuk jemi të detyruar, apo kemi mundësi të zgjedhim cilindo imam, atëherë nuk është e pëlqyer të falemi pas imamit mëkatar, por duhet të falemi pas imamit i cili është i ditur dhe i devotshëm. Por në anën tjetër, nuk duhet t’i qortojmë ata që falen pas tij duke u thënë se ju nuk e keni namazin e pranuar, apo diçka të ngjashme, ngase kjo mund të nxisë përçarje me pasoja të rrezikshme.
Po ashtu mendojmë se është me rëndësi të veçantë të theksohet se është përgjegjësi e atyre që kanë kompetenca për emërimin e imamëve në xhami që të zgjedhin imamë të përgatitur profesionalisht, të devotshëm e të pastër moralisht dhe se nëse vërtetohet se ndonjë imam bën veprime që nuk përkojnë me misionin e imamit, atëherë ata kanë obligim që të marrin masa ndaj imamëve të këtillë, ngase të gjithë dijetarët janë të një mendimi se nuk lejohet të emërohet imam ndonjë person që konsiderohet mëkatar.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
—————————–
[1] Muslimi, nr. (673) 290
[2] Buhariu, nr. 694