Pyetja:

Si falet namazi i personit që është mysafir për dy javë? A është më mirë t´i falë namazet e plota apo të shkurtuara, edhe pse ka kohë dhe mundësi t´i falë të plota?

***

Përgjigjja:

Dijetarët islamë kanë pajtueshmëri të plotë se për atë që është udhëtar, shkurtimi i namazeve me katër rekate në dy rekate është më i vlefshëm sesa falja e namazeve me rekate të plota, ngase i Dërguari i Allahut ﷺ në të gjitha udhëtimet e tij i ka shkurtuar namazet dhe nuk ka asnjë fakt që të mund të vërtetohet se Pejgamberi alejhi selam në udhëtimet e tij ka falur ndonjë namaz pa e shkurtuar. Enes bin Maliku ka thënë: “Kam udhëtuar me të Dërguarin e Allahut ﷺ prej Mekës në Medinë. Pejgamberi ﷺ vazhdonte t’i falte namazet nga dy rekate derisa jemi kthyer në Medinë”. Është pyetur Enesi: “Sa keni qëndruar në Mekë?” Ka thënë: “Dhjetë ditë.” [1]

Po ashtu  Ibën Umeri r.a. ka thënë: “E kam shoqëruar të Dërguarin e Allahut [ﷺ] dhe ai gjatë udhëtimit asnjëherë nuk i falte (namazet me katër rekate) më shumë se dy rekate dhe kështu kanë vazhduar të veprojnë pas tij edhe Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani r.a..” [2]

Dijetarët hanefi konsiderojnë se shkurtimi i namazit gjatë udhëtimit është obligim (vaxhib), kurse të tjerët kanë thënë se është sunet, ndërsa të gjithë janë të pajtimit se falja e namazit të udhëtarit të plotë, pra pa shkurtime, është e urryer- e papëlqyer (mekruh), ndonëse e pranuar. Prandaj nëse ju keni vendosur të qëndroni në udhëtim më pak se pesëmbëdhjetë ditë, duhet që namazet me katër rekate t’i shkurtoni në dy rekate, kurse namazet tre dhe dyrekatëshe nuk shkurtohen, por falen të plota.

Është me rëndësi të dihet se kur themi shkurtimi i namazeve bëhet fjalë për namazet që janë farz, si farzi i drekës, i ikindisë dhe jacisë, ngase kjo nuk ka të bëjë me shkurtimin e namazeve që janë sunet.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

———————

[1] Buhariu, nr. 1081; Muslimi, nr. (693) 15

[2] Buhariu, nr. 1102