Pyetja:
A është e lejuar gjidhënia e qëllimshme fëmijëve të huaj me qëllim të vëllazërimit të tyre?
***
Përgjigjja:
Afërsia në Islam manifestohet në dy mënyra:
1. Afërsia në bazë të gjakut;
2. Afërsia në bazë të qumështit.
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ndalohet nga qumështi ajo që ndalohet nga lidhja e gjakut.” [1]
Afërsia në bazë të gjakut bëhet shkak për ndalimin e martesës, fiton të drejtën e trashëgimisë, përgjegjësinë e përkujdesjes dhe mbikëqyrjes etj., ndërsa afërsia në bazë të qumështit shkakton vetëm ndalimin e martesës. Gjidhënia që shkakton ndalesën e martesës duhet të plotësojë këto kushte:
a) Fëmija të thithë gji nga gruaja, pavarësisht a është ajo grua e re apo plakë, e martuar apo e pamartuar, me rëndësi është që qumështi të dalë nga gjiri i saj. Gjithashtu nuk është me rëndësi a pi fëmija qumësht me cucëll, me gotë apo drejt nga gjiri i gruas. Me rëndësi është që qumështi të jetë i gruas.
b) Fëmija duhet të thithë gji nga ajo grua së paku një herë, derisa të ngopet apo derisa e lë gjirin vetë. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve islamë, siç transmeton Ibën Mundhiri nga Aliu, Ibën Mesudi, Ibën Umeri, Ibën Abbasi, Atau, Haseni, Ibën El-Musejjib, Mekhuli, Zuhriu, Katade, Hamadi, Maliku, Evzaiu, Ebu Hanifja dhe shumë të tjerë. Argument për këtë kemi ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:
”U janë ndaluar juve (të martoheni me): nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, bijat e vëllait, bijat e motrës dhe nënat tuaja, të cilat u kanë dhënë gji juve dhe motrat tuaja nga gjiri…” (Nisa: 23)
Po ashtu hadithin e lartpërmendur: “Ndalohet nga qumështi ajo që ndalohet nga lidhja e gjakut.” [2]
Ajeti dhe hadithi e kanë përgjithësuar dhënien e gjirit duke mos e veçuar me numër të caktuar. Ndërsa hadithet e transmetuara, të cilat përcaktojnë numrin e gjidhënies janë të anuluara, ashtu siç thonë Ibën Abbasi dhe Ibën Mesudi,Allahu qoftë i kënaqur me ta.
c) Gjidhënia ndikon dhe ka efekt vetëm nëse bëhet në dy vitet e para të jetës së fëmijës. Allahu i Lartësuar thotë:
“Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara që t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plotë.” (Bekare: 233)
Për të kuptuar më mirë po e ilustrojmë me një shembull:
Nëse një grua i jep gji një fëmije, qoftë vetëm edhe një herë, në dy vitet e para të jetës së tij, ajo bëhet nëna nga qumështi e atij fëmije. Po ashtu ky fëmijë bëhet vëlla nga qumështi i të gjithë fëmijëve të tjerë që u ka dhënë gji kjo grua si dhe bëhet fëmijë nga qumështi i burrit të gruas gjidhënëse dhe vëlla nga qumështi i të gjithë fëmijëve të burrit të gruas gjidhënëse nëse i ka pasur me ndonjë grua tjetër.
Gjidhënia me qëllim të shkaktimit të afërsisë në bazë të qumështit është e lejuar, madje nëse e kërkon nevoja në disa raste edhe duhet të bëhet, ashtu siç transmetohet se Pejgamberi ﷺ e ka urdhëruar gruan e Ebu Hudhejfes t’i japë gji Salimit me qëllim që t’i bëhet mahrem [3] i saj (bir nga qumështi).
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Muslimi, nr. (1444) 2.
[2] Muslimi, nr. (1444) 1.
[3]Mahrem konsiderohet i afërmi i gruas, mashkull me të cilin për shkak të afërsisë së tij ndalohet martesa me të me ndalesë të përhershme, siç është vëllai, djali, daja, xhaxhai, etj.