Pyetja:

Sa rekate falet namazi i natës?

***

Përgjigja:

Namaz nate mund të falësh sa të duash, nuk është e caktuar se sa rekate duhet të falen në namaz të natës. Pejgamberi ﷺ zakonisht ka falur tetë, dhjetë, njëmbëdhjetë dhe trembëdhjetë rekate.

Nuk ka numër të kufizuar rekatesh të namazit të natës, nga dy rekate, nga katër, nga dhjetë etj., kjo varet nga fuqia jote, mirëpo mos harro se puna më e mirë dhe më e dashur për Allahun xh.sh. është ajo që kryhet vazhdimisht edhe nëse është në sasi të paktë.

Aishja r.a., thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Puna më e dashur për Allahun e Lartësuar është ajo që vazhdon (të kryhet, nuk ndërpritet), edhe nëse është e paktë.” [1]

Pra, të falësh çdo natë nga dy rekate është më e dashur për Allahu xh.sh., sesa një natë të falësh njëzet rekate, kurse një javë të mos falesh fare. Bëje traditë që për çdo natë t’i falësh nga dy rekate para se të flesh, nëse jo më shumë. Puna më e mirë është ajo që bëhet në vazhdimësi, edhe nëse është e paktë.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 6464; Muslimi nr. (783) 218.