Pyetja:
Dua ta di në cilën dorë mbahet unaza e martesës? Disa thonë që është haram të në dorën e majtë dhe disa haram në dorën e djathtë, kjo pyetje vlen edhe për djemtë edhe për vajzat.
***
Përgjigjja:
Në Islam nuk ekziston diçka që quhet unaza e martesës, por ky zakon ka ardhur nga popujt e ndryshëm me besime më shumë pagane, siç janë grekët e lashtë, të cilët pretendonin se unazat e martesës janë lidhje dashurie mes burrit dhe gruas. Madje shkonin deri atje sa thonin se vendosja e unazës duhet patjetër të jetë në gishtin e mesëm të dorës së majtë, sepse venat e këtij gishti lidhen me zemrën, gjë e cila në të vërtetë nuk është vetëm për këtë gisht por për të gjithë gishtat njësoj, por e rëndësishme është që ky besim dhe ky zakon nuk ka bazë në Islam, madje mund të shkojë deri në shirk nëse besohen gjëra të tilla në vendosjen e këtyre unazave.
Kurse vendosja e unazës thjesht pa ndonjë besim apo qëllim, lejohet si për burrat edhe për gratë, por me kusht që për burrat të mos jetë prej ari, sepse ari është i ndaluar për ta, dhe vendosja e unazës lejohet në çdo gisht të secilës dorë, madje grave u lejohet të vendosin disa unaza njëherësh në disa gishta, në të dyja duart, por me kusht që të mos i shfaqin në sy të burrave të huaj. Allahu është i Gjithëdijshmi dhe Ai e ka në dorë suksesin!
Alaudin Abazi