Pyetja: Më pelqen shumë piktura dhe moda. Për pikturë me kane thene se eshte haram,po moda psh dizajnimi i fustaneve dhe vellove a eshte haram?
Përgjigjja: Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet, lëvdatat i takojnë të Dërguarit të Tij.
Sa i përket rrobave; gjegjësisht dizajnimit, prodhimit e përdorimit të tyre, parimisht janë të lejuara të gjitha rrobat, me disa përjashtime të vogla. Këto përjashtime janë:
- Rrobat e mëndafshit, të cilat janë të ndaluara vetëm për meshkujt.
- Rrobat që u ngjajnë rrobave të jobesimtarëve, përmes të cilave ata e manifestojnë besimin e tyre. Këto rroba janë të ndaluara për të gjithë muslimanët.
- Rrobat të cilat prodhohen nga lëndë të papastërta sipas sheriatit. Fjala vjen: rrobat që prodhohen nga lëkura të papastërta. Edhe këto rroba janë të ndaluara për të gjithë muslimanët.
Të gjitha rrobat e tjera i nënshtrohen kriterit të përdorimit; pra dispozita sheriatike për to varet nga forma e përdorimit të tyre:
– Nëse përdorimi i tyre bëhet në formë të lejuar, si rrobat e meshkujve, të fëmijëve, e të femrave të cilat e mbulojnë tërë trupin e tyre, atëherë këto rroba janë të lejuara.
– Nëse përdorimi i tyre bëhet në formë të ndaluar, si: Rrobat të cilat nuk e mbulojnë trupin e femrës dhe ajo me to del para burrave të huaj, apo rrobat e ngushta të cilat e përshkruajnë trupin (qoftë femër apo mashkull), këto rroba janë të ndaluara (haram).
– Nëse rrobat kanë dy forma të përdorimit; edhe të lejuar edhe të ndalur, fjala vjen: Rrobat e rëndomta të cilat nuk i mbulojnë pjesët e trupit që kërkohet mbulimi i tyre, porse me to mund të dilet para njerëzve të huaj, por mund të dilet edhe vetëm para njerëzve te afërt (sipas sheriatit). Atëherë këto rroba në esencë janë të lejuara, përderisa ka këtë përdorim.
Edhe dizajnimi i vellove të nusërisë i nënshtrohet këtyre rregullave të përdorimit; nëse vishet vetëm para femrave, ose meshkujve që konsiderohen mahrem(të afërt sipas sheriatit) për atë që e vesh, lejohet dizajnimi i tyre në çfarëdo forme të jetë (përderisa është në suaza të normales). Nëse veshja e tyre bëhet edhe para burrave të huaj, atëherë ai duhet të jetë në atë formë që ta mbulojë tërë trupin e nuses, përndryshe nuk lejohet dizajnimi i tij.
Allahu e di më së miri.
/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/