Pyetësi: O shejh, Allahu ju shpërbleftë, çfarë mendoni për një njeri të cilit i jep selam dhe ai nuk ta kthen, dhe pasi që e kam këshilluar nuk ka ndryshuar. A të vazhdoj t’i jap selam? Dhe kjo sjellje është përhapur shumë.

Shejhu: Unë them: Jepi selam, jepi selam edhe nëse nuk ta kthen, sepse njeriu është i urdhëruar t’i japë selam vëllait të tij musliman.
Nëse ti i jep selam, e ke shpërblimin, ndërsa ai nëse nuk ta kthen, bie në gjynah.
Dëshmia për këtë është hadithi që transmetohet nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se një burrë tha:
“O i Dërguari i Allahut, unë kam të afërm të cilët unë i vizitoj, ndërsa ata i shkëpusin lidhjet me mua. Unë sillem mirë me ta, por ata më trajtojnë keq. Unë jam i butë me ta, por ata sillen keq me mua.”
Profeti ﷺ i tha:
“Nëse është ashtu siç thua, atëherë është sikur t’u hedhësh hi të nxehtë (pra: ata vetë po dëmtohen përballë sjelljes sate të mirë, sikur të ishe duke u dhënë për të ngrënë hi të nxehtë), dhe ti do të kesh gjithmonë ndihmues nga Allahu kundër tyre, përderisa të vazhdosh në këtë rrugë.” .[Tr. Muslimi].
– që do të thotë: vazhdo me sjelljen tënde të mirë, sikur t’u hedhësh hi të nxehtë.
Pra, Profeti ﷺ e urdhëroi që t’i mbajë lidhjet familjare, edhe nëse ata i shkëpusin.
Po ashtu edhe ti: vazhdo t’i japësh selam, edhe nëse nuk ta kthen.
Ndoshta, me përsëritje, ai do të turpërohet dhe do ta pyesë veten: “Pse nuk po ia kthej selamin?”
Pyetësi: Po nëse ai mendon se ajo që po bën është pjesë e fesë, pra mendon se po afrohet te Allahu duke mos kthyer selamin?
Shejhu: Kjo është nëse të ka bojkotuar duke besuar se kjo është pjesë e fesë, dhe ti e ke këshilluar por ai nuk ka kthyer (atëherë ti e ke kryer detyrimin tend).

 

“Lika bab el Meftuh”, audiokaseta 062.
Shejh Uthejmini /Përktheu: Dr. Fatmir Strumi

https://udhaebesimtareve.com/