Pyetja

Kam një pyetje në lidhje me tregtinë elektronike dhe jurisprudencën islame. Unë drejtoj një markë të modës për gra, e specializuar në veshje gjumi, të brendshme dhe veshje formuese të trupit.

Kur krijoj përmbajtje promocionale, përdor fotosesione me modele reale femra për veshjet e gjumit (pizhame, bluza me kapuç dhe batanije etj.). Ndërsa për të brendshmet, përdor imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale (AI) të modeleve.

A është e lejuar kjo mënyrë veprimi sipas Sheriatit?

Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigjja

Të gjitha falendërimet e plota i takojnë Allahut, Zotit të botëve…

Nuk ka ndonjë ndalesë në tregtinë përmes internetit, përmes reklamimit, marketingut dhe promovimit të produkteve, programeve apo gjërave të ngjashme. Megjithatë, lejueshmëria e kësaj veprimtarie kushtëzohet me faktin që ajo që promovohet të jetë e lejuar sipas Sheriatit.

Sa i përket përgatitjes së përmbajtjeve promocionale që paraqesin modele të modës duke veshur veshje gjumi dhe të ngjashme me to, ose që përdorin imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale të grave të veshura me të brendshme, përgatitja, promovimi dhe publikimi i këtyre materialeve janë të ndaluara, për shkak të asaj që përmbajnë prej përhapjes së paturpësisë, zbulimit të pjesëve të turpshme (`avretit) dhe nxitjes së tundimit dhe epsheve të ulëta.

Po kështu, ekziston frika se ai që përgatit dhe publikon reklama të tilla të ndaluara do të mbartë një pjesë të mëkatit të atyre që i shohin ato ose që, për shkak të tyre, e kundërshtojnë Allahun. Kjo sepse ai që bëhet shkak që dikush të bjerë në një mëkat, merr pjesë në mëkatin e tij, edhe nëse nuk ka pasur për qëllim ta ndihmojë atë në kryerjen e kësaj mosbindjeje.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Sa për t’i bartur në ditën e gjykimit mëkatet e veta të plota dhe një pjesë të mëkateve të atyre që, pa farë arsye i mashtruan dhe i humbën. Sa e keqe është ajo me çka ngarkohen.”
(Kurani, En-Nahl: 25)

Gjithashtu, transmetohet në një hadith të Profetit ﷺ se ai ka thënë:

“Kushdo që sjell në Islam një praktikë të keqe, do të mbartë mëkatin e saj dhe mëkatin e kujtdo që vepron sipas saj pas tij, pa iu pakësuar aspak mëkatet e tyre.”
(Muslimi)

Allahu e di më së miri.