Pyetja : E kemi një pyetje prej se a lejohet përdorimi i fjalës “ja resulallah”, që do të thotë: “O i Dërguari i Allahut!”.
Këtu problematika është te pashtirrma “O”, që thërret ose synon dikë që është i vdekur, sepse Pejgamberi (alejhi salatu ue selam) është i vdekur sikurse të gjithë njerëzit, ndërsa bën jetë dhe është i gjallë tek Allahu (xhalle xhelaluhu) në atë mënyrë të cilën e kupton Allahu i Lartësuar dhe nuk mund ta kuptojmë ne.
Kthehemi te pashtirrma “O”. Kjo pashtirrmë zakonisht lëshohet prej njerëzve që kanë nevojë për ndihmë; e thërrasin filanin dhe thërrasin atë për ndihmë. Mirëpo, jo me doemos gjithmonë lëshohet për ndihmë.
Andaj, edhe kur jemi te Pejgamberi (alejhi salatu ue selam), fjala “ja resulallah” ose “o i Dërguari i Allahut” varet se me çfarë qëllimi dhe me çfarë nijeti thuhet.
Nëse është për qëllim që t’i lypet ndihmë Pejgamberit (alejhi salatu ue selam) ose të kërkohet ndërmjetësim nga ai, kjo është e ndaluar rreptësisht. Këtë e thonë të gjithë dijetarët e Ehli Synetit, i madh e i vogël, deri më sot, dhe kanë për të thënë deri në Ditën e Gjykimit. Sepse nuk kërkohet ndihmë prej të vdekurit dhe as nuk kërkohet ndërmjetësim prej të vdekurit apo prej njerëzve, ngaqë ndërmjetësimi vjen prej Allahut. E kështu që ndërmjetësimi i Pejgamberit (alejhi salatu ue selam) do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, por këtë ndërmjetësim e kërkojmë prej Allahut, jo prej Pejgamberit (alejhi salatu ue selam), sepse ndërmjetësimi nuk buron prej dëshirës dhe vullnetit të tij, por prej dëshirës dhe vullnetit të Allahut, dhe Allahu ka për ta bërë ndërmjetësues.
Mirë, kjo është pjesa e parë.
Pjesa e dytë: Nëse thejmi “ja resulallah” ose “o i Dërguari i Allahut” në ligjërimet tona, ose në salavatet tona, ose edhe në ilahitë apo këto kasidet fetare që janë, a ka ndonjë problem? Nuk ka problem, për arsye se nuk është se thërritet me qëllim të ndihmës apo të ndërmjetësimit, por thjesht kur dërgohen salavate, për shembull, thuhet: “Salavatet qofshin mbi ty, o i Dërguari i Allahut!”, që nuk ka kurrfarë problemi.
Gjithashtu, me të njëjtin kontekst përdoret edhe në ligjërime pothuajse, edhe në kaside. Në ligjërime, për shembull, mund të përdoret duke thënë: “Sa shumë ke vuajtur e sa shumë ke hequr, o i Dërguari i Allahut!”, “Ja resulallah, ke pasur kaq shumë sabër!”. Domethënë, thjesht është formë e ligjërimit. Ndërsa kjo “ja”, domethënë kjo pashtirrmë, është më tepër për të tërhequr vëmendjen dhe për të kthyer përqendrimin e dëgjuesit. Kështu që nuk ka problem nëse thuhet me këtë nijet, qoftë në kaside (domethënë në ilahi fetare), qoftë në ligjërime, qoftë kur dërgojmë salavate mbi Pejgamberin (alejhi salatu ue selam).
Hoxhë Dr. Rasim Haxha




