Pyetja:

Nëse Allahu e ka caktuar të mirën dhe të keqen, atëherë çfarë dobie ka lutja? A nuk do të ndodhë gjithçka ashtu siç është caktuar?

Përgjigjja:

Për ta kuptuar këtë çështje, duhet të dimë se dijetarët e Ehli Sunetit e ndajnë caktimin e Allahut në dy lloje:

1. Caktimi i prerë

Është gjithçka që Allahu ka shkruar në Leuhi Mahfudh, Librin e Ruajtur. Ky caktim është përfundimtar dhe nuk ndryshon, nuk shtohet e nuk pakësohet.

Çdo e mirë që Allahu ka caktuar për ty në këtë mënyrë do të të vijë, ndërsa çdo e keqe që ka caktuar të të godasë, do të ndodhë. Lutja nuk e ndryshon këtë caktim.

2. Caktimi i kushtëzuar

Është ajo që Allahu ka shkruar në fletët e melaikeve, por realizimin ose largimin e saj e ka lidhur me shkaqe të caktuara, siç është lutja.

Kjo do të thotë se Allahu mund të ketë caktuar për ty një të mirë, por ardhjen e saj ta ketë kushtëzuar me lutjen. Nëse lutesh, ajo të vjen; nëse nuk lutesh, nuk të vjen.

Po kështu, Allahu mund të ketë caktuar që të të godasë një e keqe, por largimin e saj ta ketë lidhur me lutjen. Nëse lutesh, Allahu ta largon; nëse nuk lutesh, ajo të godet.

Për këtë Allahu i Lartësuar thotë:

“Allahu fshin çfarë të dojë dhe përforcon çfarë të dojë.” (Er-Ra’d: 39)

Ky ajet lidhet me caktimin në të cilin ndodhin fshirje dhe ndryshime, siç është ajo që gjendet në fletët e melaikeve, ndërsa ajo që është shkruar në Librin e Ruajtur nuk ndryshon.

Atëherë, çfarë dobie ka lutja?

Lutja është shkak për arritjen e të mirave dhe largimin e të këqijave që Allahu i ka kushtëzuar me të. Prandaj, nuk duhet të mendojmë se lutja është e panevojshme vetëm sepse gjithçka është e caktuar.

Atëherë, lutja nuk e ndryshon caktimin e prerë të Allahut, por është një nga shkaqet që Allahu ka vendosur për realizimin e caktimit të kushtëzuar.

Prandaj, besimtari duhet t’i lutet Allahut për çdo të mirë dhe për mbrojtje nga çdo e keqe, sepse ai nuk e di çfarë është caktuar për të dhe çfarë të mirash apo mbrojtjeje Allahu ka lidhur me lutjen e tij.

 

Përmbledhje nga një përgjigje e shejh Tarik Es-Suvejdan, Allahu e ruajttë.

Përmblodhi dhe përktheu: Hoxhë Sabahudin Selimi