Pyetja:
Unë jam fejuar dhe martuar me një djalë të lagjes. Jemi pëlqyer, por qe një muaj jemi ndarë, pas një viti që ishim bashkë. Më duhet t’ju tregoj se që nga fillimi i lidhjes me këtë djalë, kunata ime e martuar për kunatin ka bërë gjithçka për të na ndarë. Ajo i fliste keq
burrit tim për mua, e sa isha e martuar më ofendonte në prezencë të familjarëve të tij me lloj-lloj fjalësh fyese. Burri im e pohonte se ajo dëshironte të na ndajë. Ditën e martesës duke ma vërë unazën sipas adetit, më ka thënë “t’u thaftë varri!”, e shumë gjëra të tjera. Burri im më ka thënë se ajo është femër që i ka hyrë shejtani në të. E gjithë shtëpia e dëgjonin fjalën e saj. Tani pasi jemi ndarë unë akoma nuk jam përmirësuar. Jam mërzitur që jemi ndarë, dhe edhe burri më pat thënë se po mërzitej shumë. Nuk e di se si u ftohën raportet tona aq shumë, aq shpejt dhe pse frikësohesha prej kësaj femre aq shumë! Më dukej shumë e ligë. Çfarë lloj femre ishte kjo?
***
Përgjigjja:
Është brengosës fakti i ndarjes suaj nga burri, pa pasur ndonjë arsye të pranueshme për të përfunduar kështu. Ju kisha sugjeruar që nëse keni mundësi të riktheheni dhe të bashkoheni përsëri, duke u konsultuar me ndonjë hoxhë lidhur me rregullat dhe mënyrën e rikthimit apo rimartesës suaj me atë djalë. Kjo është me rëndësi për ju. Kurse sa i përket pyetjes direkt se çfarë femre ishte ajo që kontribuoi për ndarjen tuaj nga burri, unë them se natyrisht se ajo ka qenë e djallëzuar dhe ka kryer ndonjë shërbim të djallit, pasi vetëm ai kënaqet kur ndahet një çift bashkëshortor.
I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Iblisi e vendos kolltukun e tij mbi ujë, pastaj i delegon ushtritë e tij. Më i afërt me të në pozitë është ai që më së shumti bën huti. Vjen në raportim ndonjëri prej shejtanëve dhe i thotë Iblisit se kam bërë këtë e këtë. Iblisi i thotë se nuk paske bërë asgjë. Ka thënë pastaj vjen tjetri dhe i thotë se nuk e kam lënë filanin rehat derisa e kam ndarë me gruan e tij. Atëherë Iblisi e gradon atë dhe i thotë atij: “sa i mirë që je!” [1]
Përderisa Iblisi i do dhe i afron afër vetes ata shejtanë që e ndajnë burrin dhe gruan e tij, atëherë ai shërbim është i njohur se nga kush buruaka edhe nëse ndihmësi është njeri. Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku
—————————–
[1] Muslimi