Pyetja:
A lejohet të vendoset në mur emri Allah ose Muhamed ose ajete të Kuranit? Gjithashtu a lejohet t’i lësh këto si foto në display, në profil të rrjeteve sociale ose si wallpaper në PC?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ka mendime në këtë problematikë te dijetarët. Disa nga ata kanë thënë se është e ndaluar vënia e ajeteve ose emrit Allah nëpër mure dhe vende të ndryshme, pasi me këtë devijohet qëllimi se pse është zbritur Kurani dhe nënvlerësohet vlera dhe madhërimi i këtyre ajeteve. Kjo për faktin se familjarët mësohen me ato pamje dhe humbin ndjenjën se ato janë fjalë të Allahut dhe mund të nënvlerësohen ose të bien në tokë dhe të mos nderohen nga dikush që nuk e di vlerën e tyre. Gjithashtu pasi kjo edhe nuk ishte traditë e muslimanëve të hershëm.
Ndërsa disa të tjerë kanë thënë se lejohet pasi në këtë formë njeriu rikujtohet në raste të ndryshme kur i lexon ato, madje ata thonë se ndoshta në disa situata ka mundësi që njeriu të këshillohet nga leximi i atyre ajeteve dhe ka mundësi të heqë dorë nga mëkati, etj.
Sido që të jetë themi se të dyja këto mendime janë të drejta varësisht se për çfarë qëllimi bëhet vënia e këtyre ajeteve në mure dhe vende të tjera. Prandaj nëse është për qëllimi rikujtimi dhe këshillimi, atëherë inshallah nuk ka të keqe, por nëse është për qëllimi zbukurimi dhe dukja apo edhe për bereqet, atëherë duhet të largohemi nga kjo.
Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi