Pyetja:
A mund të falem nëse në trup kam parfum i cili përmban alkool dhe nëse i kam flokët me llak i cili ka përmbajte të alkoolit?
Përgjigja:
Sipas mendimit që mendojmë të jetë më i sakti lejohet përdorimi i atij parfumi dhe atij llaku dhe si të tillë nuk pengojnë në faljen dhe konsiderimin e namazit. Kjo është përgjigje e përgjithshme. Sa i përket parfumimit të femrës dhe daljes së saj në rrugë e parfumuar, një gjë e tillë është e ndaluar – haram. Njashtu edhe dalja e saj në rrugë para meshkujve të tjerë, me flokë të zbuluara dhe të zbukuruara e me llak është haram. Nëse dikush thotë: “mua më intereson a pranohet namazi në atë gjendje, kurse dalja në rrugë e parfumuar dhe me flokë të zbukuruara është temë tjetër”, ne i themi se namazin që ti e kryen, sigurisht se e bën për Allahun dhe për faktin se Allahu të ka obliguar me të. I Njëjti ligjvënës, pra Allahu, ka ndaluar të dilet e zbukuruar dhe e parfumuar në rrugë. Ti me namazin tënd pretendon ta adhurosh Allahun dhe ta ushqesh veten, kurse me daljen tënde në rrugë, motër myslimane si e zbukuruar, po mëkaton ndaj Allahut dhe po e stimulon prishjen e moralit tënd dhe moralit të tjerëve.
Si është e mundur që Allahu të respektohet në disa urdhra dhe ndalesa dhe të mos respektohet në disa urdhra dhe ndalesa të tjera?!
Allahu thotë:
“Mos vallë, një pjesë të Librit e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.” (Bekare, 85)
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku