Pyetja:
1. Përderisa falemi, a është obligative të lexohen salavatet?
2. Kur themi “la ilahe il-lAllah”, a duhet të shtojmë edhe “Muhameden resulullah”? Shtrohet pyetja: Muhamedi alejhi selam, kur ka thënë për shembull “Zoti është një”, a ka thënë për veten se “Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij”?
3. Ata që bëjnë pjesë në sekte, kanë për të dhënë përgjegjësi përpara Zotit në Ditën e Gjykimit. Kam frikë se nëse falem gabimisht, mos jam sekt në të falur e jo tamam si duhet.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
1. Thënia e salvateve pas teshehudit në namaz është një nga ritet e vërtetuara me hadithe të shumta dhe të sakta. Prandaj në medhhebin hanefi dhe maliki, salavatet janë farz në uljen e fundit, ndërsa te të tjerët janë sunet. Kurse pse bëhet lutje për Muhamedin ﷺ dhe për familjen e tij, pastaj për Ibrahimin alejhi selam dhe për familjen e tij është shumë e thjeshtë, pasi lutja nuk nënkupton vetëm futje në xhenet, por ka mundësi ngritje të shkallëve në xhenet, shtim të mëshirës, të faljes dhe të mirësive përgjithësisht.
2. Fjala “La ilahe il-lAllah Muhamedun Resulullah” (Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguar i Tij) ose “Muhamedun Abduhu ve Resuluhu” (Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij), është dëshmi që me pranimin dhe thënien e tij njeriu bëhet besimtar. Dhe këtë thënie e kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë të gjithë muslimanët, gjithashtu këtë dëshmi e ka shqiptuar kështu edhe vetë i Dërguari Muhamed ﷺ.
3. Në lidhje me pyetjen e tretë, fillimisht themi se termi sekt nuk ka të bëjë me mënyrën e të falurit. Me fjalë të tjera, dallimi në formën e të falurit mes muslimanëve nuk është pikë ndarëse në mes Ehli Sunetit dhe grupimeve të tjera të devijuara, por dallimi në mes tyre është në besim dhe në metodologjinë e nxjerrjes së argumenteve nga citatet sheriatike dhe çfarë konsiderohet burim i sheriatit. Vëlla i nderuar, pa u zgjeruar themi se Islami është i qartë dhe kuptimi i përmbajtjes së mësimeve është i thjeshtë, pa komplikime dhe pa fshehtësi. Nëse njeriu e realizon besimin e tij në Allahun e Lartësuar duke qenë i nënshtruar vetëm ndaj Tij dhe duke mos i shoqëruar Atij dikë në adhurime (pra, pa e përzier besimin e tij me shirk), atëherë ai do të jetë i shpëtuar. Njeriu i cili e kryen faljen duke e zbatuar këtë objektiv (e kryen faljen vetëm për Allahu e Lartësuar) dhe mundohet t`i pasojë mësimet e sakta të Muhamedit, ﷺ atëherë atë njeri Allahu i Plotfuqishëm nuk do ta humbë.
Alaudin Abazi