Pyetja:

Jam një motër myslimane dhe i fali pesë kohët e namazit. I kam dy fëmijë, njërin katërvjeçar dhe tjetrin dyvjeçar dhe prapë jam shtatzënë. Jam shumë e lodhur dhe ne si në gurbet që jemi shumë të ngarkuar. A bën t’i fali vetëm farzet e namazeve?  Edhe, te ne në Gjermani koha e jacisë hyn gati në orën dymbëdhjetë të natës e sabahu është gati në orën pesë. Unë nuk po mundem kurrsesi të zgjohem për ta falur sabahun se po jam shumë e lodhur dhe për këtë po mërzitem shumë. Namazin e sabahut e fali kur më del gjumi. Kjo më ka ndodhur vetëm prej se jam shtatzënë.

***

Përgjigjja:

Sa i përket gjendjes suaj, pra fakti se jeni shtatzënë, mund t’i falni vetëm farzet e namazeve ditore si dhe vitrin mundësisht.Kur është fjala te lodhja te ju ne botën perëndimore, sigurisht e keni fjalën nëse jeni në marrëdhënie pune në ndonjë firmë. Përndryshe lodhjet e jetës së rëndomtë janë të njëjtat për të gjithë pa dallim të atyre në gurbet dhe të tjerëve në vendlindje. Jacinë duhet falur edhe në atë kohë e po ashtu edhe sabahun. E kuptoj se koha e pushimit është e shkurtër, por obligimeve që i ka vënë Allahu duhet t’ju japim përparësi motër e nderuar.

Mendoni dhe llogaritni përse ju lodheni. Përgjigjen do ta gjeni shpejt: për përfitime materiale të kësaj bote. Atë që sot e fiton, nesër e shpenzon dhe gjithçka merr fund. Kurse lodhja për Allahun dhe aplikimin e urdhrave të Tij, kalon sot por të mbetet për nesër e sidomos për Ditën e Gjykimit, ku më të pasurit do të jenë ata që investuan më shumë sa ishin në këtë botë. Lodhjen për Allahun do ta shpërblejë Allahu, por edhe do të reflektohet tek njerëzit, kurse e kundërta, rrezikon që edhe njerëzit të mos jenë mirënjohës.

Motër e nderuar, për pa e ditur se a punoni ku është hallall apo jo, pa e ditur vendin tuaj të punës, dua t’ju sqaroj se puna juaj nuk është obligim as për nevoja të jetës së përditshme. Obligimi për përkujdesjen tuaj materiale (ushqim, veshmbathje dhe vendbanim) bie mbi bashkëshortin tuaj. Kurse obligimi i Allahut për namazin nuk kryhet nga tjetërkush dhe vet do të jepni llogari për të. A ka logjikë që t’i jepet përparësi asaj që është vetëm e lejuar (nëse e keni vendin e punës të lejuar, e që pak mundësi të tilla ka atje për muslimanen), në kurriz të asaj që është e obliguar? A bën të shkoni në një firmë tjetër të punoni në orarin e punës kur duhet të jeni në punën e rregullt?

Andaj mos i numëroni lodhjet e tjera para namazit, sepse të gjitha janë të pavlera para tij. Ju pasi e falni namazin dhe e keni kuptuar rëndësinë e tij, dijeni se obligimi i parë i jetës është namazi. Gjërat e tjera si: puna, pushimi, ushqimi, etj., e kanë vendin pas namazit dhe ju jepet kohë aq sa tepron pas namazit. E ju e dini se namazi, gjatë tërë ditës nuk merr kohë më shumë se një orë.

Muhamed Dërmaku