Pyetja:

Selam alejkum ue rahmetullah ue berekatuhu!
Pyetja ime është kjo:

1)- Familja ime mban mbiemrin Latifi. A duhet ta ndryshojmë, kur dihet se është cilësi e të Madhërishmit Allah?

2)- Njeriu mund të merret mësysh ashtu siç na ka treguar i vërtetuari Muhamed, paqja qoftë mbi të. Për shembull unë dyshoj apo më kanë marrë mësysh. A bën t’ia them vetvetes lutjet që janë për mbrojtje?
Mësysh mund të merren edhe objektet, p.sh. unë kam një veturë apo shtëpi të bukur etj.. Çfarë duhet të bëj që t’i mbroj edhe ato nga mësyshi?

Allahu subhanehu ue teala ju shpërbleftë me gradat më të larta të xhenetit!
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

1. Emri “El-Latif”, shqip “i Buti”, është një nga nëntëdhjetë e nëntë emrat e Allahut të Lartësuar, prandaj është e ndaluar ta përdorim për të emërtuar me të krijesat. Por duhet të kemi parasysh se i ndaluar është përdorimi i këtij emri së bashku me nyjën shquese “El”, kështu që nëse përdoret e pashquar “Latif”, atëherë nuk ka në të ndalesë.

2. Nëse dyshoni se keni mësysh, atëherë lejohet të thoni lutjet që janë për mbrojtje, madje shumica e atyre lutjeve janë të parapara të këndohen gjatë ditës për besimtarin, si për shembull suret Ihlas, Felek, Nas, Ajetul Kursija dhe lutje të tjera.

3. Gjithashtu edhe mësyshi në gjësende, sikurse në veturë, etj., është evident. Ndërsa në lidhje me parandalimin e mësyshit në këto gjëra, Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Nëse ndonjëri nga ju sheh në veten e tij ose në pasurinë që posedon ose të vëllait të tij diçka që i pëlqen, le të bëjë lutje për begati, pasi marrja mësysh është hak.” Shënon Ahmedi.

Pra, forma më e qëlluar është që kur të shohim diçka të bukur dhe magjepsemi, atëherë duhet ta kujtojmë atë duke bërë lutje që vërteton madhërinë e Allahut të Lartësuar ose edhe duke thënë “Mashallah”. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi