Pyetja:

Unë e dua Allahun dhe parësorja tek unë janë kryerja e urdhëresave të Allahut dhe të Pejgamberit alejhi selam, por kam kundërshtime nga familja ime, sidomos nga vëllai me të cilin jetoj, i cili bën gjëra që unë mos ta praktikoj Islamin. A duhet që unë për hirë të Allahut të largohem nga shtëpia e tij e të kërkoj riskun e Allahut diku tjetër?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Po ta pyeste secili veten e tij me sinqeritet: Çfarë do të thotë familja për mua, duke i llogaritur të gjithë anëtarët e saj? Pastaj, nëse kërkohet nga ne që të radhisim gjërat më të rëndësishme që kemi në këtë jetë, ku do të ishte vendi i vëllait?
Duke pasur parasysh përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve, vëlla i dashur, themi se largimi juaj nga shtëpia është zgjidhja që duhet të bëni vetëm pasi të keni provuar të gjitha format dhe zgjidhjet e tjera në dispozicion.
Unë besoj se ju, por edhe çdokush që e ka vëllanë mospraktikues të fesë ose të devijuar, nuk jeni të kënaqur që ta lini atë në atë mënyrë jetese dhe që ai ta përfundojë jetën e kësaj bote në atë gjendje. Por, si është e mundur ta ndryshojmë këtë gjendje, kur opsioni ynë është që të largohemi nga ai dhe të mos mbajmë lidhje me të?
Edhe Muhamedi  ﷺ tregon se muslimani më i mirë është ai që përzihet me njerëz dhe duron të këqijat e njerëzve. Ai ﷺ thotë: “Besimtari i cili përzihet me njerëz dhe bën durim nga të këqijat e njerëzve është më i mirë se besimtari i cili nuk përzihet dhe nuk i duron të këqijat e të tjerëve.”
Në fund, themi se ju duhet të mundoheni të jetoni me familjen dhe të përdorni metoda dhe forma që të ndikoni tek ata; kjo është më mirë edhe për ju, edhe për familjen. Edhe nëse kjo ju pengon që të ndiheni i qetë dhe i përkushtuar ndaj Allahut, luteni Allahun e Lartësuar që t’jua ndryshojë këtë gjendje. Pastaj mundohuni të bëheni i sjellshëm me ta, t’i respektoni dhe kështu të arrini në zemrat e tyre. Unë nuk besoj se ju do të dëshironit shpërblim më të madh për këtë botë dhe botën tjetër sesa që Allahu i Lartësuar ta udhëzonte familjen tuaj nëpërmjet jush.

Alaudin Abazi