Pyetja:

A duhet të marrim gusul apo vetëm abdes pas seksit oral (nëse nuk ejakulon), duke pasur parasysh që organet gjenitale nuk preken. Dhe nëse vetëm preken, a konsiderohemi xhunubë?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sa i përket pyetjes: A është obligativ gusuli pas seksit oral qoftë nga mashkulli apo femra? Themi se kjo varet nga çështja se a ka ndodhur ejakulimi (orgazma) apo jo gjatë këtij akti. Nëse gjatë këtij veprimi ejakulon mashkulli apo femra, atëherë është obligativ gusuli (për atë që ka ejakuluar). Nëse nuk ndodh ejakulimi, atëherë nuk është obligativ gusuli, por duhet ta pastrojmë organin dhe të marrim abdest.

Ndërsa në lidhje me çështjen se a është i detyruar gusuli nëse vetëm preken dy organet, pa ndodhur marrëdhënia e plotë, themi se nëse ka ndodhur vetëm prekja, pa depërtuar organi i mashkullit në organin e femrës, atëherë nuk është e detyrueshme larja. Ky qëndrim është me konsensus (ixhma) të ulemave. Prandaj, hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Kur të takohen dy sunetimet (organi i mashkullit dhe i femrës), obligohet larja.” [1], sqarohet me hadithin tjetër, të cilin e përcjell Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili thotë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur ndokush të ulet në mes të katër gjymtyrëve të saj (të femrës) dhe kryen aktin seksual, është bërë larja e obliguar, edhe pse nuk ka ejakulim.” [2]

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

—————————-

[1] Ahmedi

[2] Muslimi