Pyetja:
Një njeri në moshë është në prag të vdekjes, ai është besimtar beson edhe në jetën e ardhme por kurrë nuk ka ditur të falet, çdoherë ka bërë dhikër. A e fal Allahu?
***
Përgjigjja:
Motër e nderuar! Besimi i muslimanit përbëhet prej besimit me zemër, deklarimit me gojë atë që e beson zemra dhe aplikimit praktik të atij besimi me gjymtyrë. Pra nga besimtari musliman, përveç besimit teorik në Allahun, në ahiret etj., kërkohet të jetë praktikues i mësimeve islame, të cilat i porosit sheriati.
Padyshim se namazi është ndër detyrat më të kërkuara nga muslimani dhe është vepra që më së tepërmi i dallon muslimanët nga mosbesimtarët. Andaj edhe dijetarët islamë ndahen në dy mendime lidhur me personin, i cili e pranon në mënyrë teorike detyrën e namazit se është obligim, por nga përtacia nuk e praktikon dhe një pjesë e tyre e trajton si mosbesimtar fare, ndonëse e di se e ka obligim, kurse pjesa tjetër e tyre mendojnë se numërohet nga mëkatarët e mëdhenj, por nuk del nga të emërtuarit musliman.
Megjithëkëtë, nëse punojmë me mendimin e dytë, i cili është më liberal, ky person rrezikohet të dënohet me zjarr në ahiret, e krejt më vonë, pasi t’i nënshtrohet dënimit, do të nxirret prej xhehenemit dhe do të futet në xhenet, për shkak të besimit të tij. Vlen të përmendet se dijetarët nuk kanë dilemë në trajtimin e personit, që nuk e konsideron namazin si obligim (farz), për kafir – jobesimtar. Allahu padyshim ka mundësi që ta falë çdo njeri musliman, pa marr parasysh sa mëkate ka, por Allahu nuk falë jobesimtarin.
Në rastin konkret, elhamdulilah që personi është gjallë dhe edhe pse në moshë të shtyrë, le të mundohet, e pak ato sure që i di, ta falë namazin, bile farzet e pesë kohëve ditore. Kjo do të konsiderohej edhe pendim i tij para se të vdes dhe në këtë mënyrë mund të trajtohet si musliman i devotshëm, për të cilët është premtuar xheneti, pasi pendimi i shlyen mëkatet e mëhershme.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku