Pyetja:

A është e vërtetë ajo që thonë njerëzit se kur vdes dikush kërkohet që rrobat dhe të gjitha pajisjet e tij të jepen sadaka, para se të kalojë dita e tretë (e vdekjes së tij)? Si duhet të veprojmë me rrobat e të vdekurit dhe mjetet (pajisjet) që ka lënë pas?

***

Përgjigjja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe nderimet e Tij qofshin për të Dërguarin e Allahut ﷺ

Këto fjalë nuk qëndrojnë! Përkundrazi, rrobat e të vdekurit përfshihen në totalin e trashëgimisë që lë pas dhe që u përkasin pasardhësve të tij. Ata mund ti vetë – përdorin ose edhe mund ti shesin, por nuk e kanë të detyrueshme ti japin sadaka.

M.gj.th, nëse zgjedhin që të jepen sadaka me qëllim që të fitojnë shpërblime, atëherë mund të veprojnë, me kusht që këta pasardhës të kenë mbushur moshën e pjekurisë, sepse fëmijës në moshë të vogël (trashëgimtarit), nuk i lejohet askujt që të japë diçka sadaka nga pjesa e tij dhe këtu përfshihen si rrobat ashtu dhe sendet e tjera.

Shejh Ibn Uthejmin i është bërë kjo pyetje: A u lejohet familjarëve të të vdekurit që të përdorin rrobat e tij?

Ai u përgjigj: Po, kur vdes dikush çdo gjë që ai lë pas i takon pasardhësve, qofshin ato rroba shtroje, libra, mjete pune, tavolina, karrige dhe çdo gjë tjetër. Madje edhe shamia që vihet në kokë dhe rrethi i zi që vihet mbi shami. Të gjitha u takojnë pasardhësve. Në momentin që u kalojnë pasardhësve, ata mund të veprojnë sit ë duan ashtu sikurse veprojnë me pasurinë e tyre (personale). Nëse pasardhësit që kanë arritur moshën e pjekurisë vendosin që: Rrobat e të vdekurit do i marrë njëri prej tyre dhe ai i vë në përdorim, kjo nuk ka asnjë problem. Nëse bien dakort që ti japin sadaka, përsëri kjo nuk përbën ndonjë problem. Edhe nëse bien dakort që ti shesin, përsëri nuk ka problem, sepse është pronë e tyre dhe ata veprojnë siç vepron një pronar, me pronën e tij. (Nurun ala Derb)

Gjithashtu, shejhut të nderuar Salih el Feuzan i është bërë kjo pyetje: A lejohet ti ruajmë rrobat e të vekurit? Nëse kjo nuk lejohet, çfarë është më mirë të bëjmë me këto rroba?

Ai u përgjigj duke thënë: Lejohet përdorimi i rrobave të të vdekurit për atë që do ti përdor nga familja e tij. Apo ti jepen njerëzve në nevojë dhe nuk duhen çuar dëm. Gjithsesi, ato llogariten si pjesë e trashëgimisë. Nëse kanë vlerë, ato përfshihen në trashëgimi dhe u bashkangjitet e u takon pasardhësve. Ruajtja e këtyre rrobave në shenjë kujtimi nuk lejohet dhe nuk duhet të ndodhë. Ky veprim mund të bëhet edhe haram nëse mbajtësi ka për qëllim kërkimin e begatisë nëpërmjet këtyre rrobave apo gjëra të ngjashme. Gjithashtu (ruajtja e këtyre rrobave dhe mospërfitimi prej tyre) llogaritet edhe si humbje e pasurisë. Sepse nëpërmjet pasurisë njeriu ka dobi dhe nuk duhet të mbahet peng dhe të mos përfitohet prej saj. [El munteka 2/271].

Allahu e di më së miri.

Përktheu: Fatjon Isufi