Pyetje:

Selam alejkum ve Rahmetullah!
A është gjynah të festohet ditëlindja dhe pse?
Unë kam lexuar në një libër islam, por nuk më kujtohet arsyeja se pse është gjynah. Ju kisha lutur të më jepni përgjigje sa më shpejt që të jetë e mundur!

Ju faleminderit!

***

Përgjigje:

Alejkum selam ve Rahmetullahi ve berekatuh!

Është gjynah të festohet ditëlindja e kujtdo qoftë, sepse nuk kemi asnjë argument nga i dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e as nga gjeneratat e para, të cilët jemi të obliguar t’i ndjekim, se kanë vepruar një gjë të tillë. Edhe në kohën e tyre janë regjistruar gjërat dhe kanë pasur datat e njohura, por asnjë porosi e as traditë profetike nuk kemi që legjitimon festimin e ditëlindjes.

Në anën tjetër festimi i ditëlindjes me gjithë ceremoninë përcjellëse, si: qirinjtë, numri dhe fikja e tyre, kënga “happy birthday”, ftesa e mysafirëve, torta etj., të gjitha këto janë prej traditave të komuniteteve joislame, që obligohemi të mos i pasojmë. Pra, thjesht ndalohet festimi i ditëlindjes sepse është imitim i të tjerëve.

Allahu e di më së miri!

Hoxhë: Muhamed Dërmaku