Pyetje: Shejkh i nderuar, Allahu të dhëntë sukses! A është obligim apo i rekomanduar rregullimi i safave gjatë namazit?

Përgjigje: Kjo është obligim. Profeti ﷺ nuk e fillonte namazin deri sa t’i shikonte safat dhe urdhëronte që ata t’i afronin supet dhe thembrat me njëri-tjetrin dhe të qëndronin drejt. Kur i afronin supet dhe thembrat me njëri-tjetrin dhe safat ishin rregulluar, atëherë ai ﷺ e fillonte namazin. Po.


Enes ibn Maliku -radijAllahu anhu- rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:

“Drejtoni safat, sepse drejtimi i safave e kompleton namazin.” Umdetul Ahkam (75).

“Drejtohuni dhe mos u përçani e të përçahen zemrat tuaja.”  Muslimi (432).

Numan ibn Beshiri -radijAllahu anhu- rrëfeu se profeti ﷺ ka thoshte:

“Drejtoni safat (siç duhet) ose Allahu do të fut përçarje mes jush.” Umdetul Ahkam (76).

Ndërsa te Muslimi: I dërguari i Allahut ﷺ na i drejtonte safat sikurse dikush që i drejton shigjetat (gjatë gdhendjes) derisa mësuam sesi duhet të rregullohen. Një ditë, erdhi për t’u falur dhe pak para se ta thoshte tekbirin fillestar, e pa një burrë që kishte dalë përpara nga safi, andaj tha: “O robër të Allahut, ose do t’i drejtoni safat, ose Allahu (për mosplotësim) do ta fus ndërmjet jush urrejtjen dhe përçarjen.”

Imam Salih bin Feuzan El-Feuzan
Burimi: https://www.alfawzan.af.org.sa
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com