Pyetja:

Në ditën e xhuma kur imami hipën në mimber a duhet të japë selam për xhematin?

***

Përgjigja:

Dijetarët kanë rënë dakord, se imami kur futet në xhami iu jep selam njerëzve që janë mbledhur aty për të falur xhumanë, por kur të hipë në mimber dhe kthehet me fytyrë nga xhemati disa mendojnë se duhet të japë selam dhe disa të tjerë jo. Dijetarët e medh’hebit Hanefi dhe Maliki mendojnë, se nuk duhet të japë selam pasi të ketë hipur në mimber. [1] Kurse dijetarët e medh’hebit Shafi dhe Hanbeli janë të mendimit, se është e pëlqyeshme që imami t’iu japë selam njerëzve të pranishëm pasi ka hipur në mimber dhe kthehet me fytyrë drejt tyre. Argument për këtë është një hadith, që përcillet nga Xhabir ibn Abdilahi, i cili tregon se Profeti ﷺ kur hipte në mimber jepte selam. [2] Ka plot dijetarë të tjerë të hershëm, që hadithin e konsiderojnë të dobët, mirëpo e shikojnë çështjen të pëlqyer në praktikë, sepse ka qenë e njohur si vepër te sahabët dhe tabiinët. Transmetohet se Othmani r.a, kur hipte në mimber iu jepte selam njerëzve. [3]
Poashtu transmetohet, se Omer ibn Abdul-Azizi kur hipte në mimber iu jepte njerëzve selam dhe ata ia kthenin gjithashtu. [4]
Ndërsa Imam Neveviu  sqaron, se imami kur futet në xhami iu jep selam njerëzve që janë atje në hyrje dhe kur hipën në mimber dhe kthehet me fytyrë nga njerëzit u jep selam njerëzve aty, të cilët e kanë detyrë pjesërisht e jo të gjithë (farz kifajeh) ta kthejnë selamin. Pastaj thotë: “Ky është mendimi i medh’hebit tonë dhe i shumicës së dijetarëve të tjerë. Të këtij mendimi janë dhe Abdullah ibn Abasi, Abdullah ibn Zubejri, Omer ibn Abdul-Azizi, imam el-Euzai dhe imam Ahmedi.” [5]
Për çka u tha më sipër mendojmë se kjo vepër është e pëlqyeshme. Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

———————

[1] (el-Binajeh fi sherhi el-Hidajeh të Bedruddin el-Ajnit 3/62)

[2] Ibn Maxheh dhe Bejhekiu, zingjiri i dobët

[3] Ibn Ebi Shejbeh, “Musanef” nr. 5196

[4] Ibn Ebi Shejbeh, “Musanef” nr. 5197

[5] el-Mexhmu 4/527