Pyetja:
A i lejohet gruas veshja e fustaneve të nusërisë pa pëlqimin e burrit duke marrë parasysh vendin, rrethin dhe familjen ku jetojmë apo duhet vetëm në ambient me gra. Pse mos të zbukurohemi ku nuk ka meshkuj të huaj kur e dimë se në ditët e sotme më e tërhequr është të mos zbukurohesh sesa të rregullohesh. Si është më së miri?
***
Përgjigjja:
Para se të dimë përgjigjen e pyetjes se a bën të veshen fustana nusërie pa lejen e burrit, duke respektuar dispozitat e Sheriatit, pra duke mos u ekspozuar para meshkujve, duhet ta dimë se bashkëshortja muslimane nuk bën të del nga shtëpia e burrit pa lejen e tij. Respekti dhe dëgjueshmëria për burrin duhen të jenë në masë më të lartë sesa që mendojnë shumica e bashkëshorteve në shoqërinë tonë. Kjo gjë aspak nuk asiston në diktaturën që mundohen ta ushtrojnë shumë burra mbi bashkëshortet e tyre. Përkundrazi, zbukurimi vetëm për hir të burrit dhe respekti i fjalës dhe dëshirës së tij, përveç se është obligim sheriatik, ai në vetvete sjell edhe dashurinë e ndërsjellë dhe respekt të dyanshëm nga bashkëshortët.
Burri ka të drejtë ta ndalojë gruan e tij nga veshjet e zbukuruara kur ajo të del nga shtëpia, qoftë edhe në mesin e grave dhe gruaja duhet ta respektojë atë ndalesë. Duhet pasur parasysh se sot gratë, në shumicën e rasteve, i rrëfejnë burrave dhe familjarëve të tyre atë që shohin tek të tjerat. E përshkruajnë bukurinë e femrës tjetër e të mos flasim për zbukurimin e tyre. Kjo gjë çon deri te mendimi i dijetarëve se në mese të tilla grash, nuk lejohet për muslimanen t’i zbulojë flokët e saj para tyre.
Sa i përket çështjes se sot më e tërhequr është femra të mos vishet sesa të zbukurohet, nëse e keni për qëllim më tërheqëse, kjo nuk është e vërtetë dhe për këtë asnjë ligj nuk mendon e as Sheriati, por as logjika e njeriut nuk e thotë. E nëse e keni për qëllim më e distancuar, nuk mund të kuptohet distancim nga shoqëria për faktin se nuk merr pjesë në një mes motrash muslimane pa fustan nusërie. Ajo mund të prezantojë në atë mes me veshje të thjeshtë dhe kjo nuk ka asnjë problem.
Me fjalën fustan nusërie nuk e kam për qëllim vetëm fustanin e bardhë, por çdo fustan që nuk vishet për qëllim tjetër, përveç zbukurimit.
Muhamed Dërmaku