Pyetje: “Kur jam duke punuar, apo nuk kam kohë të mjaftueshme, dhe prindërit e mi vijnë për të më kërkuar diçka, të cilën veçse ua kam rregulluar më herët, unë u bërtas atyre. Andaj, a është kjo e ndaluar?”

Përgjigja: “Pa dyshim që kjo gjendje vjen nga zemërimi dhe shpirtngushtësia. Ajo çfarë kërkohet nga njeriu është që ai ta përmbajë veten gjatë zemërimit. Sepse përcillet se një njeri i tha të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Më këshillo!” Ai i tha: “Mos u zemëro!” Njeriu e përsëriti disa herë kërkesën, mirëpo i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem çdoherë i thoshte: “Mos u zemëro!” (dmth largoju shkaqeve që të shkaktojnë zemërim).
Pra, prej njeriut kërkohet që ta përmbajë veten gjatë zemërimit dhe të kërkojë prej Allahut që ta mbrojë nga shejtani i mallkuar, posa fillon ta vërejë atë (zemërimin), në mënyrë që të qetësohet.
Së këtejmi, ty nuk të lejohet t’ua ngritësh zërin atyre, për shkak të ajetit:
“Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (El-Isra’, 23)

Dihet fare mirë se kur prindërit të arrijnë pleqërinë, prej tyre vazhdimisht rrjedhin gjëra të cilat njeriun e lëndojnë, i japin siklet dhe e zemërojnë. Mirëpo, megjithëkëtë, Allahu tha: “Mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.”

Andaj, ti e ke për detyrë të tregohesh me edukatë para prindërve të tu, ta përmbash veten gjatë zemërimit dhe të mos tregohesh kundërshtues e i ashpër me ta.”

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) / (Nurun ala Ed-Derb)