Pyetja:

A lejohet agjërimi i 10-ditëve të Dhul-Hixhxhes me dy njete?

***

Përgjigjja:

Agjërimi i dhjetë ditëve të para të dhulhixhes nuk është sunnet-mustehabb. Kanë ardhur hadithe, të cilat dëftojnë për agjërimin e të Dërguarit ﷺ të këtyre dhjetë respektivisht nëntë ditëve të dhulhixhes (pasi që dita e dhjetë është dita e Kurban Bajramit dhe nuk lejohet të agjërohet), por ato janë hadithe të dobëta, me të cilat nuk mundemi ta ligjësojmë ndonjë dispozitë, qoftë edhe të nivelit të preferencës (mustahab).

Mirëpo duke u nisur nga fakti i përgjithshëm se agjërimi është padyshim nga veprat e mira, si dhe nga fakti tjetër se nuk ka ditë që veprat e mira janë më të dashura te Allahu se këto dhjetë ditët e dhulhixhës, atëherë mund të themi se bën të agjërohen të nëntë ditët, bën të agjërohen vetëm disa, por bën edhe të mos agjërohet asnjë, përveç ditës së nëntë, e cila është Dita e Arafatit e që është sunnet të agjërohet dhe shpresohet t’i shlyejë mëkatet e dy viteve, viti të kaluar dhe vitit të ardhshëm.

Agjërimi është prej ibadeteve që nuk mund të bëhet me dy nijete në të njëjtën ditë asnjëherë. Pra me një ditë agjërimi mund të agjërohet vetëm për një qëllim. Ju sigurisht se e keni fjalën që me njërin nijet të agjëroni ndonjë ditë të pa-agjëruar nga ramazani dhe njëkohësisht të agjëroni nafile nga Dhul-hixhe. Përderisa agjërimi i këtyre ditëve nuk është i kushtëzuar, ju mund të agjëroni si kompensim të ditëve të pa-agjëruara të ramazanit dhe këtë kompensim ta bëni pikërisht gjatë këtyre ditëve të Dhul-hixhes, ku veprat e mira janë më të dashura te Allahu se ditëve të tjera të rëndomta, dhe do të kesh Inshaallah shpërblim të dyfishtë.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku