Pyetja:

Cili është mendimi juaj, përkitazi me një person i cili ka shëndet të mirë dhe pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme, ia ka dhënë njërit nga djemtë e tij, ndërkaq djemtë tjerë i ka privuar nga kjo pasuri pas vdekjes së tij. Personi në fjalë vdiq. Tash, djali të cilit ia ka lënë pasurinë, a i lejohet ta shfrytëzojë këtë pasuri vetë ai, pa vëllezërit tjerë?

 

***

Përgjigjja:

I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut, dhe paqja qoftë mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ.

Personi në fjalë, ka bërë gabim nga dy aspekte:

I pari: Ka favorizuar njërin nga fëmijët e tij ndaj tjerëve me atë që ia ka dhënë gjithë pasurinë e tij, ndërkaq fëmijët tjerë i ka privuar nga kjo pasuri. Ky veprim nuk është i lejuar. I Dërguari i Allahut ﷺ e refuzoi një nga shokët e vet, kur ai kërkoi prej tij që të dëshmojë në një çështje identike me këtë, dhe i tha: ”Kërko dikë tjetër të dëshmojë për atë veprim, se unë nuk dëshmoj një padrejtësi.

Disa dijetarë e kanë lejuar që të favorizohet ndonjë nga fëmijët duke i dhënë diçka më tepër për një shkak të caktuar që e bën më të nevojshëm se tjerët, fjala vjen, nëse është me nevoja të veçanta, apo ka një sëmundje kronike, apo vëllezërit e tij janë shkolluar e ai ende jo, apo vëllezërit e tij janë martuar të ndihmuar materialisht nga babai, e ai ende nuk është martuar, apo shkaqe tjera të ngjashme, që në fakt konsiderohet tentim për barazimin e të gjithëve në mundësi.

I dyti: Ky veprim i tij, në veçanti dhënia e patundshmërive, konsiderohet kundërshtim i dispozitave të qarta të Allahut në trashëgimi, të cilat Allahu i Madhërishëm i ka shpjeguar qartë, siç është ajeti: ’’Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra…’’; (Nisa: 11)

“Këto janë (dispozita) të caktuara prej Allahut. Kush i bindet Allahut, (urdhërave të Tij) dhe të dërguarit të Tij, atë e dërgon në Xhenete nën të cilët burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh  Kush kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim i rëndë.”

Ndërkaq, djali të cilit babai ia ka dhënë gjithë pasurinë e tij, pa u dhënë vëllezërve tjerë asgjë, dhe ai këtë gjë e di, e ka pranuar haramin dhe e ka shoqëruar prindin në mëkat. Ai duhet të çlirohet nga kjo barrë duke ua kthyer gjithë vëllezërve të vet hakun e pasurisë që u takon, apo një pjesë të saj, nëse ata pajtohen me këtë gjë. Me këtë, ai e pastron veten dhe e pastron prindin e vet të vdekur. Kjo do të ishte edhe bamirësi ndaj prindit dhe lehtësim i tij pas vdekjes, respektim i të afërmve të gjakut, si dhe respektim i të drejtave të vëllezërve nga ana tjetër. Allahu ia bekon atij pasurinë e paktë, por që është hallall, dhe kjo është më e dobishme se pasuria e shumtë që është haram.

Dr.Jusuf El-Kardavi, “Fetava muasire” pjesa e III
Përktheu: Bashkim Aliu