Pyetja:

A lejohet leximi i Kuranit në varreza apo jo dhe a ka raste kur ndoshta është e ndaluar e ne disa raste lejohet?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ, familjen dhe shokët e tij.

Leximi i Kuranit në varreza është një dukuri e përhapur te ne prandaj ka nevojë për një sqarim. Për të kuptuar këtë çështje por edhe shumë të tjera duhet të kemi të qartë disa parime që kanë të bëjnë me kuptimin e fesë. Një parim shumë i rëndësishëm që do të na kishte zgjidhur shumë çështje diskutabile  thekson se ibadetet ndërtohen mbi parimin e zgjedhjes dhe caktimit të Allahut. Pra, ibadetet duhet t’i bëjmë mu ashtu siç na ka mësuar sheriati me të gjitha burimet e tij, në të kundërtën gjithçka do jetë pa vlerë dhe e trajtuar si e pabazë.

Nuk ka asnjë hadith apo vepër e ndonjërit prej shokëve të Dërguarit ﷺ se kanë lexuar Kuran në varreza, qoftë para varrimit qoftë pas tij. Këtë të dhënë e shënon Komisioni i Përhershëm për Fetfa 20/166.

I Dërguari i Allahut ﷺ i mësonte besimtarët se si të luteshin kur ata kalojnë  pranë varrezave apo i vizitojnë ato. Ai i mësonte të thoshin: “Esselamu alejkum ehleddijari minel mu’minine vel muslimine ve inna in shaAllahu bikum lahikun, nes’elullahe lena velekumul afije” (paqja qoftë mbi ju, banorë të këtyre shtëpive muslimanësh e besimtarësh. Edhe ne me lejen e Allahut do t’ju bashkëngjitemi. Lusim Allahu të na falë neve dhe juve). Sikur të ishte leximi i Kuranit më mirë me siguri që do t’ua thoshte për arsye se ai çdoherë i ka mësuar për më të mirën.

Shtoja kësaj edhe faktin se disa fjalë të të Dërguarit ﷺ aludojnë fuqishëm se në varreza nuk lexohet Kurani. Ai thoshte: “mos i bëni shtëpitë e juaja varreza, por lexoni në to suren Bekare sepse shejtani nuk hyn në ato shtëpi ku lexohet kjo sure.” Ky hadith aludon se varrezat nuk janë vend i përshtatshëm për të lexuar Kuran.

Allahu e di më së miri

——————————

[1] Muslimi