Disa të rinj sot mbështeten te faqet e inteligjencës artificiale për të marrë fetva. E vërteta është se fetvaja duhet të merret nga dijetarë të kualifikuar dhe të besueshëm, të cilët kanë bashkuar dijen me devotshmërinë dhe e njohin realitetin si dhe gjendjen e atij që pyet.

Këto cilësi nuk mund të gjenden te faqet e inteligjencës artificiale, sepse ato funksionojnë në mënyrë mekanike. Ato mësojnë nga të dhënat që u jepen dhe nga algoritme teknike për mbledhjen dhe analizimin e informacionit.

Allahu i Lartësuar thotë:
“Pyetni njerëzit e dijes, nëse ju nuk dini.”

Prandaj, nuk lejohet të mbështetemi te inteligjenca artificiale për marrjen e fetvave për disa arsye, ndër më kryesoret janë:

  1. Inteligjenca artificiale nuk është dijetar fetar i kualifikuar, nuk është subjekt i përgjegjësisë fetare dhe nuk i zotëron cilësitë që përmendin dijetarët, si devotshmëria, drejtësia, ndershmëria dhe aftësia për ixhtihad.
  2. Ajo shpesh gabon në kuptimin e hollësive të çështjeve juridike fetare, sepse nuk ka përvojën, zgjuarsinë dhe aftësinë që fiton dijetari gjatë viteve të studimit dhe përvojës shkencore.
  3. Nuk e njeh gjendjen e atij që pyet, zakonet, traditat, rrethanat, nevojat, ndryshimin e kushteve dhe domosdoshmëritë, as gjendjen psikologjike dhe as realitetin në të cilin jeton.
  4. Faqet e inteligjencës artificiale mund të përziejnë çështje fetare, të shpikin informacione, të gabojnë në atribuimin e mendimeve ose t’ua atribuojnë dijetarëve fjalë që nuk i kanë thënë. Ndërkohë, fetvaja është atribuim i një gjykimi fetar ndaj asaj që e kënaq Allahun e Lartësuar, dhe ky kuptim nuk realizohet nga këto sisteme.

Kush ka frikë Allahun, i drejtohet dijetarëve të devotshëm dhe të besueshëm, e jo algoritmeve dhe teknologjive që vetëm përpunojnë të dhëna.

/Habab Mervan El-Hamed/