Pyetja:

A lejohet t’iu prijmë muslimanëve në namaz në ato xhamia ku ka imamë apo përgjegjës të caktuar?

***

Përgjigjja:

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos iu bëj kujt imam në familjen e tij dhe as në vendin e sundimit të tij.” [1]
Fjala e Pejgamberi ﷺ “dhe as në vendin e sundimit të tij” dmth.,  të mos i bëjë dikush imamin dikujt në vendin ku është sundimtar apo pushtetar.
Imam Et-Tibij një prej komentuesve të haditheve profetike i vdekur në vitin 743H në komentimin e hadithit thotë: “Nëse dikush i prin dikujt në namaz në vendin e sundimit të tij, kjo gjë çon në nënvleftësimin e pushtetit dhe nxit për lënien e bindjes ndaj tij (pushtetarit). Po kështu edhe nëse i prin tjetrit në shtëpinë e tij apo para popullit të tij kjo gjë çon në zemërime dhe braktisje dhe shfaqjen e mosmarrëveshjeve për largimin e të cilave është ligjësuar bashkimi në xhemat gjatë faljes. Prandaj nuk duhet t’i prijë ndokush atij që është pushtetar sidomos në festa dhe xhuma dhe as imamit të lagjes apo zotit të shtëpisë”. [2]
Pra, dijetarët në kuptimin e hadithit fusin edhe daljen para imamit të caktuar të xhamisë pa lejen e tij sepse ai për detyrën që ka është pushtetar në xhaminë ku është caktuar për imam. Të njëjtën gjë mund ta themi edhe për përgjegjësin e xhamisë nëse një xhami nuk ka imam por ka një përgjegjës që do të thotë se nuk duhet të dalë njeri të bëjë imamin pa lejen e tij.

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli

———————————

[1] Muslimi

[2] Sherh El-Mishkat: 4/1153