Pyetja:

E kam burrin në gurbet dhe vjen për pushime për 1 javë. Ai nuk agjëron ndërsa unë po. A mund të kem puthje apo marrëdhënie me të pasi ai nuk agjëron?

***

Përgjigjja:

Allahu ju forcoftë juve që t’i përfillni të gjitha obligimet fetare dhe e drejtoftë burrin tuaj që edhe ai t’i kryejë ato si dhe ta agjërojë Ramazanin! Ju duhet të punoni me të që mos t’i kalojnë këto ditë të mëdha pa i agjëruar, sepse do t’i ik dobi dhe përfitim i madh, si dhe rrezikon të dënohet për mospërfillje të urdhrit të Allahut.
Ju duhet të agjëroni dhe nuk lejohet të bëni marrëdhënie seksuale me të gjatë ditës. Nëse ndonjë ditë bëni marrëdhënie me burrin para iftarit do të obligoheni që t’i agjëroni gjashtëdhjetë ditë pa ndërprerë si dënim për atë ditë si dhe një ditë për ta kompensuar. Lejohet që prej iftarit e deri në syfyr të keni marrëdhënie me të dhe kjo nuk paraqet kurrfarë shkelje të rendit të agjërimit dhe Ramazanit. Allahu thotë: “Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.” (Bekare: 187)
Sa i përket gjërave tjera, përveç marrëdhënieve intime, lejohen edhe gjatë ditës në Ramazan nëse është e sigurt se nuk i kalon kufijtë e “lojës”, por nëse femra e di se ndonjë lojë me burrin mund ta çojë në prishjen e agjërimit, nuk lejohet ta zbaton atë.Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku