Pyetja:

Desha të di se nëse hyn koha e namazit, p.sh akshami, që është farzi në fillim, pasi të marr abdest, a mund t’i fal dy rekat për abdestin apo si të veproj?
Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

   Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Falja e dy rekateve pasi marrim abdest është e lejuar në çdo kohë, madje sipas mendimit më të saktë të fukahave këto dy rekate lejohet të falen edhe në kohët e ndaluara të faljes, si pas sabahut, ikindisë, etj., pasi ky lloj namazi nuk ndërlidhet me ndonjë kohë të caktuar, por me një vepër të caktuar (marrja e abdestit).
Dy rekatet e abdesit, tehijetu mesxhidi, namazi i istihares, namazi i tevbes (pendimit) dhe disa namaze të tjera janë namaze që ndërlidhen me rrethana të caktuara dhe nuk kanë të bëjnë me kohë të përcaktuar kur falen. Këto namaze quhen “salavat dhatil esbab”, namaze që ndërlidhen me shkaqe të caktuara. Prandaj disa fukaha i kanë lejuar të falen në çdo kohë dhe kjo është më e saktë. Allahu e di më së miri!
Ndërsa për shembullin që ju keni sjellë, themi se pasi të thirret ezani që paralajmëron hyrjen e kohës së akshamit dhe nëse ju merrni abdest atëherë, lejohet të falni dy rekate të abdestit, madje kemi hadithe në të cilat tregohet se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka preferuar që të falen dy rekate sunet para faljes së farzit të akshamit. Ai thotë: “Në mes të dy ezaneve (ezanit dhe kiametit) ka namaz”, kështu ka thënë tri herë dhe herën e tretë ka shtuar: “Për atë që dëshiron”. Shënon Buhariu.
Gjithashtu shokët e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, tregojnë se sahabët zakonisht kanë falur dy rekate namaz para faljes së farzit të akshamit. Allahu e di më së miri!

Hoxhë Alaudin Abazi