Pyetja:
A të shkoj në xhami kur jam me grip?
***
Përgjigjja:
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, duhet të ndalemi tek një çështje tjetër që ka lidhje me temën: a ka sëmundje ngjitëse (ose a ngjiten sëmundjet)?
Sepse nga i Dërguari i Allahut ﷺ transmetohet një hadith që thotë: “Nuk ka sëmundje ngjitëse (ose: nuk ngjiten sëmundjet).” [1]
Ky hadith sipas mendimit të shumë dijetarëve ka për qëllim mohimin e ngjitjes vetvetiu të sëmundjeve siç mendonin në kohen e injorancës dhe jo me veprimin e Allahut. Pra Pejgameri ﷺ u ka mësuar atyre se këto sëmundje i ngjiten tjetrit se do Allahu dhe jo vetvetiu.
Ky lloj kuptimi shfaqet qartë te një version tjetër më i gjatë i hadithit ku Ebu Hurejra,Allahu qoftë i kënaqur me të,tregon se një bedevi (lexo: banor i shkretirës) pasi dëgjoi nga Pejgamberi ﷺ fjalën e tij (nuk ka sëmundje ngjitëse) i tha: “O i dërguari i Allahut! Si është çështja e deveve në shkretëtirë të cilat janë si sorkadhet (të shpejta të shëndetshme) pastaj kur vjen ndonjë deve zgjebarake e hyn mes tyre i zgjebos të gjitha? Pejgamberi ﷺ i tha: Kush ia ngjiti të parës?!” [2]
Fjala e tij (kush ia ngjiti të parës?) dmth: Ai që ia ngjiti të parës është ai që ia ngjiti të tjerave dhe ai është Allahu.
Pra i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka dashur të thotë se nuk ka sëmundje që ngjiten por ka dashur të thotë nuk ka sëmundje që ngjitet vetvetiu pa caktimin e Allahut dhe fuqinë e tij.
prandaj dhe gjejmë prej të Dërguarit të Allahut ﷺ shumë këshilla ku ndalon të bashkohet i sëmuri me të shëndetshmin dhe ja disa prej tyre:
1- “Largohu prej të zgjebosurit (atij me lebër) siç largohesh prej luanit.” [3]
2- “Një burrë me zgjebe nga përfaqësuesit e Thekifit që kishin ardhur për ti dhënë profetit -alejhi selam- besën e islamit dhe profeti -alejhi selam- i thotë: “Zëre se ta dhamë besën dhe kthehu.” [4]
3- “Të mos kalojë ai i cili ka deve të sëmura nga ai që ka deve të shëndetshme.” [5]
4- “Nëse dëgjoni se ka rënë në ndonjë vend mos shkoni atje dhe nëse ka rënë në vendin tuaj mos dilni prej saj.” [6]
Tani le të kthehemi te pyetja: A lejohet ai që është me grip të shkojë në xhami?
Për sa i përket sëmundjeve të rënda ngjitëse nuk ka dyshim se ndalimi i profetit -alejhi selam- që ata të bashkohen me njerëzit e përfshinë edhe xhaminë dhe ja çfarë thonë dijetarët e islamit!
Ibn Rexhebi ka thënë: Gjithashtu ndalohet nga xhamia i zgjebosuri nga përzierja me njerëzit në xhami apo në ndonjë vend tjetër për shkak urdhrit për largimin prej tij.
Ndërsa gripi nuk është prej sëmundjeve të rënda ngjitëse prandaj dhe nuk e gjejmë të përmendur në librat e fikhut. Disa studiues bashkohorë kur e përmendin këtë çështje mundohen të bëjnë krahasimin e saj me çështjen e ngrënies së hudhrës dhe qepës ku për ngrënësit e tyre është ndaluar xhamia. Ata thonë se nëse xhamia është ndaluar për një gjë që nuk është sëmundje por thjesht mundim me anë të erës së tyre atëherë për një gjë që është sëmundje është më parësore.
Ky lloj arsyetimi duket i pranueshëm sikur të mos ishte fakti se gripi është një sëmundje që ka qenë gjithmonë e pranishme mes njerëzve dhe nuk gjejmë prej dijetarëve të kenë dhënë një fetva të tillë për të ose unë të paktën nuk di të jetë përmendur në veçanti. Gjithsesi ata mund të kenë të drejtë por diçka është e sigurte që njeriu i sëmurë nuk e ka detyrë xhaminë dhe kjo mund të thuhet pa u rezervuar sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai i cili e dëgjon ezanin dhe nuk i përgjigjet nuk ka namaz veçse nëse është me arsye.” [7] Tek arsyet dijetarët fusin: frikën, shiun, sëmundjen, udhëtimin etj.
Allahu e di më së miri.
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
——————————–
[1] Buhariu dhe Muslimi
[2] Buhariu dhe Muslimi
[3] Buhariu
[4] Muslimi
[5] Buhariu dhe Muslimi
[6] Buhariu dhe Muslimi
[7] Ibn Maxhe