Pyetja:
Më ka rënë në dorë një shkresë dhe një foto se një vajzë 11-vjeçare, që e njoh shumë mirë (muslimane me namaz, mirëpo me sa duket e dobët), ka filluar të kalojë (shoqërohet) me një djalosh të moshës së saj. Çfarë mendoni, t’u tregoj prindërve të saj apo jo, pasi prindërit kanë besim tek unë?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Eshtë për të të ardhur keq kur dëgjon për vajzat dhe djemtë e kësaj moshe kaq të re, që interesohen për të ngritur raporte “dashurie” me moshatarët e tyre. Pa dyshim dëmi dhe e keqja e kësaj bie në radhë të parë te këta fëmijë, pastaj dëmi merr përmasa edhe në shoqëri, pasi gjeneratat të cilat rriten duke ia përkushtuar tërë interesimin e tyre hulumtimit për gjetjen e “princit” apo “princeshës” së jetës së tyre, duke provuar me dhjetëra lidhje që bëhen me personat e ndryshëm, gjeneratat të cilat e humbin energjinë, ambiciet dhe përkushtimin me këso gjërash, nuk është e mundur të jenë përparimtare.
Kurse sa i përket pyetjes se çfarë të bëni në situatën tuaj, themi se nuk është e qëlluar të nxitoni duke ndërmarrë ndonjë hap të shpejtë. Më qartë, do të ishte e gabuar të lajmëronit prindërit e saj rreth këtij problemi. Lidhjet e këtilla për kohën tonë nuk janë edhe aq “jonormale”, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojmë, posaçërisht pasi fëmijët e tillë gjatë ditës mund të ndjekin tre apo katër seriale, ku tematizohen ngjarje dashurie ndërmjet të rinjve, madje edhe të moshës së tyre.
Ajo që do të ishte e qëlluar në këtë rast, do të ishte që me këtë vajzë të bisedonit pak më hapur dhe t`i tregoni se lidhjet e këtilla, posaçërisht në këtë moshë, do t`i krijojnë probleme me të cilat do të ballafaqohet tërë jetën. Fillimi i kërkimit të “dashurisë së vërtetë” me anë të aventurave të hershme që në atë moshë do t`i komplikojnë asaj shumë gjëra në jetë. Prandaj, këshillojeni të interesohet për gjërat nga të cilat do të ketë dobi në këtë botë dhe në botën e ardhshme. Mundohuni ta nxitni për mësim, mirësjellje, moral, respekt, dinjitet dhe para të gjithave që të ketë parasysh mbikëqyrjen e Allahut, i Cili është i Gjithëdijshëm për çdo lëvizje të njeriut. Pastaj edhe shoqëria e saj luan rol në drejtimin dhe rrugën që zgjedh ajo. Prandaj, nëse kuptoni se ajo ka shoqe të pasjellshme që mund të ndikojnë tek ajo, mundohuni ta ndani, natyrisht duke i sjellë alternativa të tjera, të cilat ajo do të ketë rastin t’i zgjedhë.
Këto ishin disa nga këshillat të cilat na u kujtuan për momentin dhe për shkak të kohës nuk do të zgjerohemi më shumë. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju japë sinqeritet në thënie dhe në vepra! Amin!
Alaudin Abazi