Pyetja:

Më ndodh vetëm kur fle pas faljes së namazit të sabahut apo kur bie të kotem në mes të namazit të natës dhe atij të sabahut qoftë edhe 5 minuta, madje edhe kur jam agjërueshëm. Ëndërroj ëndrra me epsh, edhe pse nuk mendoj për gjëra të tilla. Shpesh frikësohem të bie të fle, kjo ndodh edhe pse unë praktikoj dhikrin para se të fle (vlen të ceket se kjo gjë nuk më ndodh kurrë në gjumin e natës). Çfarë duhet bërë, a ka nevojë të bëj gusëll pas ëndrrave të tilla apo ç’duhet bërë? Unë nuk jam e martuar dhe e di që femra duhet të marrë gusëll pas ciklit menstrual dhe pas fjetjes me burrë, e për këto ëndrra nuk po kam njohuri. Unë e di që këto janë nga shejtani, i cili tenton të mbjellë vesvese në zemrën time, por ju lutem më tregoni vetëm se a ka nevojë të pastrohem pas ëndrrave të tilla apo jo dhe si t’i shmangem ëndrrave të tilla?!

Kjo gjë më ndodh kur jam e kotur, pothuajse gjysmë e zgjuar dhe pikërisht kur jam agjërueshëm, kuptohet agjërime vullnetare. A duhet të vazhdoj me agjërim apo ta prish agjërimin?

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, Allahu të forcoftë në punë të mira dhe të shpërbleftë për të gjitha veprat e mira që i bëni për hir të Allahut! Ju përgëzoj për namazin e natës dhe agjërimin nafile, pasi këto ibadete kanë vlerë të veçantë tek Allahu i Lartësuar, andaj “me të drejtë” ta ka zili shejtani, i mallkuar qoftë!

Ëndrrat me epsh, siç i keni quajtur ju, nuk flasin për dobësi apo fetari të ulët të personit që i sheh. Ato mund të ndodhin edhe pa menduar para gjumit në atë drejtim. Nëse një gjë e tillë ndodh ndonjëherë, nuk duhet të kuptohet si gjë shqetësuese, madje ajo është edhe në të mirë të shëndetit, siç thonë ekspertët e shëndetësisë. E nëse ndodh për çdo ditë apo shumë shpesh, atëherë nuk do të ishte keq të konsultohet ndonjë hoxhë që merret me kurim të magjisë me Kuran dhe Sunet, për të marrë konstruksionet e nevojshme për ta kapërcyer këtë sprovë.

Sa i përket pjesës së parë të pyetjes suaj, gusli, pastrimi i tërë trupit, obligohet:

– pas kontaktit seksual, pa marrë parasysh se ejakulon apo jo, kjo vlen për dy gjinitë,

– pas përfundimit të ciklit menstrual dhe pas përfundimit të lehonisë për femrat dhe

– pas daljes së spermës dhe sekrecionit femëror, qoftë edhe kur personi është në gjumë, për dy gjinitë.

Pra, nëse sheh ëndërr me përmbajtje seksuale, atëherë duhet të shikosh se a je lagur apo jo, nëse je lagur, pra ke derdhur (ejakuluar) sekrecionin e kënaqësisë, atëherë obligohesh me gusël, e nëse vetëm ke parë në ëndërr gjëra që e ngacmojnë epshin, por nuk ke shenja të derdhjes së spermës respektive, atëherë nuk obligohesh me gusël, por vetëm me abdes, për shkak të gjumit.

Gusli obligohet edhe atëherë kur pasi të zgjoheni nga gjumi shihni shenja të përjetimit seksual, edhe nëse nuk ju kujtohet ëndrra. Kështu pra, vet ëndrra me epsh, nëse nuk shkakton ejakulim, nuk obligon guslin, kjo vlen për dy gjinitë.

Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, ku ju thoni se ju ndodh kur jeni agjërueshëm, sigurisht e keni fjalën kur koteni apo flini gjatë ditës, në të kundërtën nuk do të kishte ndonjë kuptim.

Nëse ëndrra që shkakton guslin ndodh gjatë ditës, aspak nuk e prish agjërimin, përderisa është në gjumë. Ndërsa shkaqet e tjera që e obligojnë guslin, pra marrëdhëniet intime, ejakulimi me dijeni duke qenë i zgjuar, cikli mujor dhe lindja, nëse këto ndodhin gjatë ditës sa muslimani agjëron, prishet agjërimi, vullnetar qoftë apo i obligueshëm.

D.m.th., ju e vazhdoni agjërimin edhe nëse ëndrra me epsh, ka bërë obligim për ju guslin. Merrni gusël, vazhdoni me namazet dhe vazhdoni të agjëroni rëndom, sikur të mos kishte ndodhur gjë.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku