Pyetje: Namazi është në krye të llojeve të përmendjes së Allahut, mirëpo prej asaj që vihet re është se shumë prej atyre që falen bëjnë lëvizje të shumta gjatë namazit. Cili është kufiri i lëvizjes që e prish namazin?
Përgjigjja: Është obligim për besimtarin qetësia në namaz. I Dërguari ﷺ ka thënë:
اسكنوا في الصلاة
“Qëndroni të qetë në namaz”.
Ndërsa, Allahu thotë:
﴿قَدْ أَفْلَحَ الْمُؤْمِنُونَ الَّذِينَ هُمْ فِي صَلَاتِهِمْ خَاشِعُونَ﴾
“Me të vërtetë, kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur e të përqendruar në namazin e tyre”. [El-Mu’minun: 1-2]
Pra, obligimi për atë që falet, është që të qëndrojë i qetë në namaz, i përqendruar në të, dhe të mos bëjë lëvizje të shumta që e prishin atë dhe që e bëjnë sikur të mos jetë në namaz fare. Pasi, diçka që është e pakët falet, ndërsa nëse lëvizjet janë të shumta dhe të njëpasnjëshme, atëherë ato e prishin namazin sipas të gjithë dijetarëve. Prandaj, është obligim që të kihet kujdes.
Nëse njeriu sheh te vëllai i tij lëvizje të tepërta, ai e këshillon atë dhe e udhëzon për tek e mira, qoftë edhe me shenjë gjatë namazit, kurse pas namazit e këshillon atë me fjalë. Gjatë namazit, (i tërheq vërejtjen) me shenjë, në mënyrë që të jetë i vëmendshëm me veten e tij, si dhe që t’i lëri këto gjëra të cilat i ka bërë zakon.
Ndërsa, lëvizjet e pakta dhe të shpërndara, ato i falen robit. Profeti ﷺ duke mbajtur në duar Emamën (mbesën e tij), kur binte në sexhde e zbriste atë, ndërsa kur ngrihej, e mbarte përsëri atë – Lëvdata e shumtë dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.
Po ashtu, ai (gjatë namazit) i ka hapur derën Aishes, ka ecur përpara në namazin e eklipsit, ka lëvizur përpara për të marrë një kalavesh rrushi kur iu shfaq Xheneti, por nuk ishte caktuar që ai ta merrte atë. Ndërsa, kur iu shfaq zjarri, ai u tërhoq prapa, por edhe rreshtat pas tij u tërhoqën.
Pra, diçka që është e pakët e që i ndodh kalimthi njeriut, atij i falet. Kurse, lëvizjet e shumta kur bëhen të njëpasnjëshme, e prishin namazin. Ato nuk kanë një kufi të caktuar. Disa prej tyre (dijetarëve) e kanë kufizuar në tre lëvizje, por kjo nuk ka bazë.
Kufiri i tyre (lëvizjeve) është kur bëhen shumë, kur shpeshtohen dhe bëhen të njëpasnjëshme zakonisht, ato e prishin namazin. Ndërsa, kur janë të shpërndara, nuk e prishin.
Pyetje: Po lëvizjet gjatë shtyllave të namazit?
Shejkh bin Baz: Të gjitha, qoftë në ruku, në sexhde, apo në qëndrim në këmbë, nuk kanë kufi të caktuar.
Burimi: https://binbaz.org.sa/fatwas/2897/حد-الحركة-التي-تبطل-بها-الصلاة
Shejkh Abdul-Aziz bin Baz – Allahu e mëshiroftë Përktheu: Altin Dallashi



