Çka thoni për një njeri i cili pi alkool dhe falë namaz?

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

Kjo është, me të vërtetë, për të ardhur keq. Pasiqë namazi i mirëfilltë siç përcaktohet nga Allahu i Plotfuqishëm, ndalon nga imoraliteti dhe e keqja. Këtë e thotë Allahu i Plotfuqishëm dhe i Dërguari i Tij:

“Namazi, me të vërtetë, të largon (pengon) nga amorali dhe nga çdo vepër e keqe. E, të përmendurit e Allahut është më e madhja!” (el-Ankebut, 45)

Dhe alkooli, pa dyshim, është një nga të këqijat më të mëdha, për shkak të dëmtimit të mendjes, shëndetit, parave dhe personalitetit, si dhe për ndikimin e tij në familje dhe në shoqëri.

Në qoftë se një njeri e ka besimin e dobët, bindjen e dobët, fenë e cektë, ndodh që djalli i tij e tundon me pirje të alkoolit, kurse alkooli – sido që të jetë – sipas shumicës së dijetarëve është i papastër dhe dehja prej tij e pengon nga falja e namazit, siç thotë Allahu i Plotfuqishëm:

“O besimtarë! Mos bëni namaz kur jeni të dehur, përderisa të kthjelloheni e të dini se çka flisni…” (en-Nisa, 43)

Nëse pasi të zgjohet nga dehja, i lanë gjurmët e alkoolit, merr abdes dhe fal namaz, shpresohet se me vullnetin e Zotit, namazi i tij në vetvete është i pranueshëm, dhe se një ditë ai do ta ndalojë atë nga kjo e keqe dhe do ta frenojë nga ky veprim.

Ai e zbaton një farz, e ky është namazi, por e kryen edhe një krim, e kjo është pirja e alkoolit. E para është vepër e mirë, kurse e dyta është veprim i keq. Allahu i Plotfuqishëm do t’i kërkojë llogari njeriut edhe për veprat e mira edhe për veprat e këqija. Të gjitha me masë të caktuar pa i prishë as zvogëluar asnjë grimcë. Veprat e tij të mira i janë ruajtur, por edhe mëkatet e tij i janë shkruar.

“Ai që ka punuar ndonjë të mirë, qoftë ajo e vogël madje sa thërmia, do ta shohë atë, kurse ai që ka punuar të keqe, qoftë madje sa thërmia – do ta shohë atë.” (ez-Zelzele, 7-8)

Namazet i janë regjistruar në favor të tij, por edhe pirja e alkoolit – nëna e të këqijave – është shkruar kundër tij…

Nuk mund t’i themi atij: Për sa kohë sa je duke pirë alkool, lëre namazin … sepse ai që fal namaz ka shpresë, me vullnetin e Allahut, se do të ndalohet dhe do të përmbahet nga nëna e të këqijave.

Nëse më pyesni mua: Cili është më i mirë, një njeri që pi alkool dhe nuk falet, apo një njeri që pi alkool dhe falet?

Unë them: Ai që pi alkool dhe falet, gjithsesi është më i mirë dhe më pak i keq se ai tjetri … sepse për këtë shpresohet e mira, edhe nëse është larg nga falja e mirëfilltë e namazit bashkë me pirjen e alkoolit, dhe larg nga ruajtja e tij (namazit) siç e bëjnë besimtarët, të cilët Allahu i përshkruan me fjalët:

“…Dhe ata që e ruajnë namazin e tyre, (prej mungesave).” (el-Muminune, 9).

Ka dallim midis atij që qëndron gjatë natës dhe gjuha e tij është e njomë me përmendjen e Allahut të Plotfuqishëm, dhe midis atij që flen gjatë natës dhe goja e tij është e lagur me nënën e të këqijave dhe e mbushur me erën e saj .. pa vetëdije, me arsye të humbur… dhe dallimi midis këtyre dyve është shumë i madh.

/http://www.qaradawi.net/new/Articles-10093/

Përkthim: Miftar Ajdini.