Pyetja:

A ka dallim gjynahu prej haramit?

***

Përgjigjja:

Haram në aspektin gjuhësor do të thotë ndalesë, diçka që ndalohet të bëhet. Ndërsa në aspektin terminologjik, haram është çdo gjë që Allahu xh.sh. e ka ndaluar rreptësisht nëpërmjet ajeteve kur’anore apo nëpërmjet haditheve të të Dërguarit të fundit, Muhamedit ﷺ.

Gjynah do të thotë mëkat. Pra, mëkat është kryerja e ndalesave që Allahu xh.sh. i ka ndaluar në Kur’an apo nëpërmjet të Dërguarit të Tij. Kështu, gjynahu ose mëkati është rezultati i kryerjes së haramit.

Mëkati ndahet në dy grupe: mëkat i madh dhe mëkat i vogël. Mëkat i madh konsiderohet kryerja e çdo vepre që cilësohet si mëkat i madh me citat të Kur’anit, Sunetit apo të ixhmasë, apo ka ardhur kërcënim i rreptë ndaj mëkatbërësit, apo është ligjësuar ekzekutimi i dënimit në këtë botë.

Disa kanë thënë se çdo mëkat që përmban në vetvete mallkimin, hidhërimin dhe kërcënimin me zjarr konsiderohet mëkat i madh. Po ashtu çdo mëkat për të cilin vepruesi kërcënohet se nuk do ta shijojë erën e xhenetit është mëkat i madh. Mëkat i vogël është vepra e urryer për të cilën nuk meritohet ekzekutimi i dënimit në këtë botë dhe nuk ka kërcënim të veçantë për dënim në botën tjetër. Me fjalë të tjera, mund të themi se haram konsiderohet shkelja e ligjit të Allahut xh.sh., kurse gjynah është pesha e dënimit të merituar për shkak të shkeljes së ligjit të Allahut xh.sh..

Thënë ndryshe, gjynahu si shprehje e përgjithshme përfshin të gjitha veprat që nuk është mirë të bëhen, duke përfshirë edhe haramet, mekruhet dhe veprat e papranuara qoftë edhe nga ana e karakterit dhe etikës, ndërsa harami është një shprehje më e veçantë për veprat e ndaluara me tekst kur’anor apo profetik, për këtë arsye edhe është mëkat i madh.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi