Pyetja:

A bën t’i jepen vitrat një familjeje të varfër, por të krishterë?

***

Përgjigjja:

Zekati dhe zekatul fitri (vitrat) janë adhurime materiale me dhënien e të cilit obligohet çdo musliman, i cili i plotëson kushtet e parapara sipas rregullave islame.

Sa i përket zekatit, personave që konsiderohen jobesimtarë (kufarë), pa marrë parasysh a janë të krishterë, hebrenj, paganë, ateistë etj., nuk lejohet që t’u jepet diçka nga pasuria e zekatit, por nëse janë të varfër duhet të ndihmohen me lëmosha të tjera vullnetare.

Ibën Kudame ka thënë: “Nuk kemi njohuri që ekziston mospajtim në mes të dijetarëve islamë se pasuria e zekatit nuk lejohet t’i jepet jobesimtarit (dhimmiut).”

Ibën Mundhiri ka thënë: “Dijetarët kanë mendim unanim (ixhma) që jobesimtarit nuk i jepet asgjë nga pasuria e zekatit”.

I Dërguari i Allahut ﷺ, kur e ka dërguar Muadh bin Xhebelin në Jemen, në mes të tjerash e ka porositur: “…Njoftoji ata se e kanë obligim të japin lëmoshën (zekatin) që merret nga të pasurit e tyre dhe u jepet të varfërve të tyre…” [1], pra, e ka specifikuar t’u shpërndahet “të varfërve të tyre” d.m.th. muslimanëve, ashtu siç e ka specifikuar që pasuria merret nga të pasurit e tyre.” [2]

Përveç rastit nëse ky jobesimtar është në kategorinë e “atyre që u duhen përfituar zemrat (të dobtëve në besim).” (Tevbe: 60). Pra, nëse i bëjmë bamirësi kemi shpresë se do të ndikojë që ky jobesimtar (qafir) ta pranojë Islamin, ose të mbrohemi nga sherri i tij, ose t’i ndihmojë muslimanët në ndonjë punë të madhe, atëherë në këtë rast lejohet t’i jepet nga pasuria e zekatit dhe zekatul fitrit.

Ndërsa sa i përket sadakatul fitrit, ai bën t’u jepet fukarenjve të krishterë dhe të tjerëve me kusht që ata mos të jenë në armiqësi me Islamin apo të mos e luftojnë Islamin dhe muslimanët.

Kështu mendojnë Ebu Hanife, Muhamed bin Hasen Shejbani [3] dhe të tjerë.

Ebu Ubejd dhe Ibn Ebi Shejbete transmetojnë nga disa tabiinë se ata u jepnin murgjëve nga sadakatul fitri. [4]

Ky është një akt human që tregon frymën e Islamit tolerant, i cili nuk e ndalon bamirësinë edhe ndaj atyre që kanë besim tjetër, mirëpo duhet pasur parasysh se në parim kjo sadaka u takon të varfërve muslimanë, e nëse nuk ka të tillë, atëherë s’prish punë t’u jepet edhe të krishterëve.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————–

[1] Buhariu, nr. 4347; Muslimi, nr. (19) 29.

[2] El-Mugni, 4/106.

[3] Shiko: Bedaiu es-Senai’i, 2/208.

[4] El-Emval, faqe 613-614, Musannef, 3/67.