Pyetja:

Nëse një person i verbër dëshiron të shkojë në haxh dhe në pamundësi që të shkojë vetë atje, a ka të drejtë të shkojë me përcjellës apo mund të dërgojë dikë tjetër në vendin e tij (bedel)?

***

Përgjigjja:

Njeriu që ka të meta fizike të rënda, si f.v. paraliza, apo vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë, që ka mundësi materiale për ta kryer obligimin e haxhit, por shëndeti i dobët ia pamundëson një gjë të tillë, atëherë në situata të këtilla ky person obligohet të dërgojë dikë bedel që do ta kryejë haxhin në vend të tij.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Abdullah bin Abbasi r.a., i cili thotë: “Fadl bin Abbasi kishte hipur pas shpinës së të Dërguarit të Allahut (ﷺ) në të njëjtën deve. Në atë moment erdhi një grua nga fisi Hath’am. Fadli filloi ta shikonte, por edhe ajo e shikonte atë, ndërsa Pejgamberi (ﷺ) ia kthente Fadlit fytyrën në anën tjetër. Ajo (gruaja) tha:

“O i Dërguari i Allahut! Allahu xh.sh. ua ka bërë haxhin obligim robërve të Vet, kurse babai im është në pleqëri të thellë dhe nuk mund të qëndrojë mbi kafshë, prandaj a mund ta kryej unë haxhin për të?” Pejgamberi (ﷺ) tha: “Po”. Kjo ka qenë në Haxhin e Lamtumirës.” [1]

Shumë prej juristëve islamë në këtë kategori kanë futur edhe të verbrin, ngase i verbri edhe pse është i fortë fizikisht, mungesa e shikimit e bën të paaftë për t’i kryer veprimet e haxhit.

Mirëpo nëse i verbri ka mundësi të sigurojë dikë që do ta shoqërojë për ta ndihmuar në veprimet e haxhit, qoftë edhe me pagesë, atëherë ai obligohet që ta kryejë haxhin vetë personalisht. Këtë e themi duke u bazuar edhe në përvojën tonë, ngase gjatë kryerjes së haxhit shumë shpesh na ka ndodhur të shohim persona të verbër që e kryenin haxhin me shoqërues pa asnjë problem.

Andaj, nëse i verbri ka një shoqërues që e ndihmon, mungesa e shikimit nuk e pengon aspak në kryerjen e punëve që lidhen me adhurimin e haxhit, por nëse i verbri nuk ka mundësi të sigurojë shoqëruesin që do ta ndihmojë, qoftë edhe me pagesë, atëherë nëse ka mundësi materiale, ai obligohet të dërgojë dikë tjetër bedel që do ta kryejë obligimin e haxhit në emër të tij.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 1513; Muslimi, nr. (1334) 407.