Pyetja:
A lejohet masturbimi në Islam?
***
Përgjigjja:
Masturbim do të thotë ngacmimi dhe prekja me dorë (apo me diçka tjetër) të organit gjenital me qëllim të arritjes së kënaqësisë seksuale dhe nxjerrjes së spermës, që ndryshe quhet edhe vetëkënaqësi. Masturbimi në Islam është i ndaluar (haram) si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Argument për ndalimin e masturbimit është:
1. Fjala e Allahut xh.sh.:
“Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime) me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar, e kush kërkon përtej tyre (dëfrim nga të ndaluarit), të tillë janë ata që kanë shkelur normat e caktuara.” (Mu’minun: 5-7)
Imam Shafiu ka thënë: “Nga ky ajet kuptojmë se njeriu ka vetëm dy mënyra për ta kënaqur epshin e vet, me gratë dhe me robëreshat e veta, përndryshe nëse kërkon kënaqësi në forma të tjera, atëherë ai bën mëkat.”
Disa dijetarë ndalesën e masturbimit e argumentojnë edhe me këtë ajet:
“E ata që nuk kanë mundësi martese, le të përmbahen derisa Allahu t’i begatojë me të mirat e veta…” (Nur: 33)
Urdhëresa për përmbajtje do të thotë durimi dhe moskërkimi i kënaqësisë në mënyra të tjera.
2. Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “O ju të rinj! Kush ka mundësi (materiale dhe fizike) prej jush të martohet, le të martohet, ngase në këtë mënyrë arrihet ndalja e shikimit (në harame) dhe mbrohet nderi (nga imoraliteti). Kurse ai që nuk ka mundësi (të martohet), atëherë le të agjërojë, ngase agjërimi është mbrojtje (nga të bërit haram).”[1]
Ata që nuk kanë mundësi të martohen ky hadith i udhëzon të agjërojnë, sepse po të ishte masturbimi i lejuar, atëherë në këtë rast do ta rekomandonte i Dërguari i Allahut ﷺ.
Vlen të theksohet se disa dijetarë të medhhebit hanbeli e kanë lejuar masturbimin në disa raste të veçanta, si p.sh. nëse njeriun e kaplon epshi deri në atë masë saqë frikësohet se mund të bëjë zina [2]-imoralitet, atëherë në raste të këtilla masturbimi është më pak i dëmshëm sesa bërja e zinasë.
Pra, lejimi në këtë rast bazohet në rregullën e përgjithshme se “kur njeriu është i detyruar të bëjë ndonjërin prej dy mëkateve, atëherë duhet të zgjedhë atë që është më pak i dëmshëm”.
Mirëpo ky mendim assesi nuk duhet të merret si pretekst që të përgjithësohet lejimi i masturbimit në të gjitha rastet.
Pra, edhe sipas këtij mendimi masturbimi është i ndaluar në raste të zakonshme, mirëpo kur njeriu është në situatë të tillë që për shkak të pamundësisë së kontrollit të epshit është buzë rënies në zina, atëherë në këtë rast masturbimi është më pak i dëmshëm sesa zinaja-imoraliteti.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
[1] Buhariu, nr. 5066
[2] Marrëdhënie intime jashtëmartesore, pra pa kurorë.