Pyetja:

Gazetarët dhe lajmet sipas cilave kritere duhet funksionuar?

***

Përgjigjja:

Lajmi ka fuqi të paparë mes njerëzve, ndaj të gjithë ata që merren me përçimin e lajmeve, sidomos ata që e kanë profesion, apo që e bëjnë për pasion në mënyrë vullnetare nëpër rrjetet sociale, duhet të njohin etikën minimale të detyruar e obligative, se si duhet të sillen me përçimin e lajmit tek njerëzit. Saktësia e lajmit dhe preciziteti i detajeve të tij të rëndësishme, mbi të cilat më pas ndërtohen edhe qëndrimet, është thelbësore për përçimin e lajmit, dhe jo shpejtësia e dhënies së tij. Saktësia dhe vërtetësia e lajmit prevalon mbi çdo prioritet tjetër, menjëherë pas kësaj vjen dobia dhe rëndësia e tij, e më pas vjen koha e dhënies së tij. Nëse kjo renditje logjike, morale dhe fetare përmbyset, jo vetëm nga dashakeqësia, por edhe nga papërgjegjshmëria njerëzore dhe natyra e nxituar e tij, jep të njëjtin përfundim të dhimbshëm të keqkuptimeve dhe fatkeqësive që ajo mund të shkaktojë.
Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Kur ju vjen ndonjë lajm qetësues apo shqetësues, ata e përhapin menjëherë atë. Por, nëse këtë lajm do t’ia përcillnin Profetit ose parisë së tyre, hulumtuesit e vërtetë do të dinin të nxirrnin përfundime.” (Nisa: 83)

“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë i padrejtë ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, në mënyrë që të mos e lëndoni ndonjë njeri pa dashje e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” (Huxhurat: 6)

“O ju që keni besuar, kur marshoni në rrugën e Allahut, të jeni të matur dhe të mos u thoni atyre që ju përshëndesin me selam: “Nuk jeni besimtarë”, për të arritur me këtë ndonjë fitim në jetën e kësaj bote! Tek Allahu ka begati të mëdha. Ashtu ishit edhe ju më parë, derisa Allahu ju dha nga të mirat e Tij. Pra, matuni mirë! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (Nisa: 94)

Allahu e di më së miri

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë