Hajmali quhen ato që varen në qafë, mjete bartëse, shtëpi apo diku tjetër për të sjellë dobi apo shmangur dëm, qofshin ato nga Kurani, nga penjtë, rruazat, guralecët e të tjerë.
Emërtime të tjera të hajmalive:
- Huruz, ato që ruajnë.
- Huxhub, ato që mbrojnë.
- Teaik, ato që varen.
- Uedeah, ato që sjellin rehati e pushim.
Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Ai i cili e varë një hajmali mos ia plotësoftë Allahu atë për të cilën e ka varur dhe ai që e varë një edeah mos i dhëntë qetësi e rehati!” (Transmeton Ahmedi, Hakimi, i cili e konsideron si të saktë dhe me të pajtohet edhe Dhehebiu)
Shkaqet e ndalimit të tyre
- Varësia e zemrës me dikë tjetër përveç Allahut.
- Ato nuk janë as shkaqe islame e as të natyrshme (të dukshme) që ndihmojnë, e bindja se ato janë shkaqe është ligjësim me Allahun dhe kundërshtim në krijimin dhe urdhrin e Tij.
- Ato i hapin njeriut dyert e besëtytnive dhe e shpien drejt shirkut.
- Janë shkak i humbjes, pasi ai që lidhet me diçka do t’i mbështetet atij.
A janë hajmalitë prej shirkut të vogël apo të madh?
- Nëse hajmalia është idhull, lexim (rukje) e idhujtarëve apo kryq, atëherë ky është shirk i madh, pa dyshim.
- Nëse është prej penjve, rruazave e të ngjashme e mbështetet në to plotësisht dhe bindet se ato ndikojnë të pavarura, ky gjithashtu është shirk i madh.
- Nëse është prej penjve, rruazave e të ngjashme dhe beson se ato janë vetëm shkaqe e nuk mbështetet në to plotësisht, ky është shirk i vogël.
Dispozita për hajmalitë në të cilat gjenden pjesë nga Kurani apo Suneti
Mendimi më i saktë është se nuk lejohen për shkaqet e mëposhtme:
- Për t’i mbyllur rrugët që shpien në shirk.
- Për shkak se ndalesa për hajmalitë është e përgjithshme.
- Ndoshta kjo shpie në përbuzjen e Kuranit dhe lutjeve pejgamberike. Kjo duket duke i hyrë me to në bano dhe duke ia eksponuar ato ndyrësirave.
- Është shkak që keqbërësit shkruajnë një ajet, sure apo bismilahin e më poshtë shënojnë simbole djallëzore dhe fjalë ndihmëkërkuese me karakter idhujtar.
- Ndoshta bëhet shkak që të lihet anash Kurani dhe (duaja) lutjet dhe mjaftohen me atë që është varur.
Shembuj të hajmalive prezente
- Ajo e cila u varet fëmijëve nga frika prej të marrurit mësysh.
- Atë që e marrin disa gra dhe e vendosin në dhomat e tyre apo nën jastëkët e tyre për t’u mbrojtur prej të marrurit mësysh, shqetësimit, apo për të sjellë dashurinë e burrit e të ngjashme.
- Ajo e cila njihet si unaza e fejesës, pasi përveç asaj që ajo është e marrur nga të krishterët, ajo gjithashtu mund të jetë prej shtigjeve të shirkut kur besohet se ajo është që bashkon emrat e dy të martuarve.
- Vizatimet që varen në vetura, rruaza e të ngjashme për të larguar syrin e keq.
- Ajo e cila njihet te futbollistët, të cilët e vendosin te parakrahu një mbështjellëse të caktuar ose e varin nëpër dritare, duke pretenduar se kjo ua sjell fitoren. Bile, ndoshta ajo që varet përmban ajete nga Kurani dhe ata vendosin nën këpucët e tyre.
Përktheu: Driton Lekaj




