Pyetja:

Jam një djalë 16-vjeçar dhe shumë i ndrojtur. Si mund të largohet kjo ndrojtje sepse vërtet vetëm ai që është i ndrojtur e di se sa e vështirë është të përballesh me këtë gjendje. Çdo ditë njerëzit në shkollë dhe kudo të shikojnë sikur një të mjerë por në realitet vërtet unë jam shumë i mençur, por veprimet e mia tregojnë të kundërtën. Kam temperaturë dhe ndiej se gjithë botën e kam mbi kokë edhe në qoftë se jam vetëm me një njeri e lëre më në ndonjë ndejë ku ka më shumë njerëz. Shumë herë qaj për këtë gjendje sepse vërtet është shumë e rëndë ngase çdo ditë përballesh me këtë. Unë i fal 5 kohët e namazit dhe ju lutem nga zemra të më jepni një shpjegim dhe një ”terapi”. Po them terapi sepse Islami vërtet është shërim për gjithçka.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i nderuar, ju përshëndesim me selam dhe ju urojmë mirëseardhjen në faqen tonë. Do të mundohemi që t’ju japim përgjigje në lidhje me problemin tuaj, por ju duhet ta keni parasysh se fusha e problemit tuaj nuk është profesion i yni, që të arrijmë ta shtjellojmë në të gjitha aspektet e nevojshme. Megjithëkëtë ne do të flasim në disa këndvështrime, të cilat do të arrijmë t’i përmbledhim në këta rreshta.

Mendojmë se çështja juaj është e thjeshtë dhe ju ballafaqoheni me një problem që në psikologji quhet “Social Fobia” dhe nënkupton “Frikë nga vlerësimi negativ ne situata shoqërore”. Vetë fjala “fobi” aludon për një frikë të fortë nga rrethanat, sendet, ndodhitë apo edhe ndjenjat, por në fakt kjo frikë është joreale dhe e pasaktë. Me fjalë të tjera, është parafytyrim i një frike joekzistuese ose më mirë të themi të panevojshme. Frika në përgjithësi është ndjenjë e rëndësishme për njeriun dhe luan rol të veçantë në jetën e tij, por ajo mund të ketë rol negativ nëse ndodh rreth gjërave nga të cilat nuk ka nevojë të frikësohemi.

Sido që të jetë, ju këshillojmë vëlla i nderuar që të kuptoni se ju nuk jeni me personalitet të dobët dhe nuk ju mungon diçka të cilën të tjerët e kanë. Ju duhet ta keni parasysh se të gjithë njerëzit në këtë botë, duke filluar nga më i mençuri, kanë mangësi dhe kanë nevojë të përmirësohen, pasi përsosmëria absolute i takon vetëm Allahut, Krijuesit të njerëzve.

Muhamedi ﷺ, thotë: “Çdo bir i Ademit (njeri) është gabimtar dhe gabimtari më i mirë është ai që kërkon falje për gabimet.” [1]

Ndjenja se të gjithë në shoqëri ju shikojnë si të mjerë dhe të dobët është një ndjenjë e pasaktë, pasi të gjithë ata janë njëjtë si ju, gabojnë si ju dhe përmirësohen nga të tjerët si ju. Pa dyshim se dikush mund të jetë më i dalluar se të tjerët, por ju assesi mos e nënvlerësoni veten se nuk jeni aty ku kanë arritur shokët tuaj.

Lëreni anash trysninë që ia bëni vetës duke paramenduar se jeni person i paaftë dhe mos e bëni shumë problematike nëse gaboni para të tjerëve, pasi është normale të gabojmë, të mos kemi aftësi të gjendemi si duhet në situata të ndryshme. Madje shumica e njerëzve kur janë në situata me njerëz shumë, ose në raporte me ta, manifestojnë sjellje të pakontrolluara, nuk dinë të bisedojnë mirë, gabojnë në vlerësime, shtangen nëse u drejtohet ndonjë pyetje e papritur, befasohen, etj. Prandaj ju lus që në veten tuaj të zvogëloni komentimin e imtësive që ju ndodhin në sjellje e raport me të tjerët.

Lus Allahun e Lartësuar t’jua lehtësojë dhe t’ju japë një zemër të qetë dhe të sigurt në vetvete dhe ta gjeni më të mirën në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin!

Alaudin Abazi

Klubikulturor


 

[1] Tirmidhiu