Pyetja:

A ka lidhje Dita e Ashuras me zinë e shiitëve?

***

Përgjigjja:

Data 10 e muajit Muharrem te sekti shiit nuk ka lidhje me agjërimin e asaj dite dhe as me përkujtimin e Musait dhe popullit të tij që shpëtuan nga Faraoni. Shiitët këtë ditë adhurimi e kanë kthyer në ditë zie dhe vajtimi për vetë faktin se në këtë ditë, në vitin 61 sipas hixhretit, është vrarë Husejni, i biri i Aliut, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, që në të njëjtën kohë është dhe nipi i Pejgamberit ﷺ.

Nuk ka dyshim se vrasja e Husejnit përbën një krim të madh në historinë islame, mirëpo Jezidi, i biri i Muavijes, kalifi i muslimanëve në atë kohë, pasi mori vesh lajmin se Husejni dhe Abdullah ibn Zubejri nuk donin ta njihnin Jezidin si kalif, dha urdhër që të mos lejonin Husejnin të shkonte te ithtarët e tij në Irak. Në datën 10 të muajit Muharrem, Husejni bashkë më familjen e tij arrijnë në Qerbela (Kerbela) dhe aty përballen me ushtrinë që ishte përgatitur enkas për të mos lejuar Husejnin të takohej me ithtarët e tij nga frika e një revolucioni të mundshëm. Husejni nuk pranoi këtë kërkesë pasi nuk e njihte autoritetin e tyre, andaj dhe komandantët e asaj ushtrie ranë dakord përfundimisht për vrasjen e Husejnit. Vërtet ky është një gabim fatal dhe një mëkat i madh, mirëpo shumë prej munafikëve të asaj kohe gjetën një rast shumë të mirë për të përgatitur një rit të rrezikshëm ku të gjithë pasardhësit e krahut të Jezidit duhet të shpallen fajtor, edhe pse shumica e tyre nuk ishin aspak dakord për vrasjen e Husejnit. Madje, këtë faj, sipas tyre, duhet ta mbajnë të gjithë sunitë mbi supet e tyre deri në Ditën e Gjykimit. Sunitët sot quhen të tillë sepse ndjekin sunetin e Pejgamberit ﷺ dhe jo sepse janë pasues apo ithtarë të Jezidit apo dikujt tjetër prej prijësve të asaj kohe. Ndërkohë, Allahu në Kuranin Famëlartë thotë: “Askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.” (En’am: 164)
D.m.th: Askush nuk është përgjegjës për mëkatin e tjetrit.

Përveç kësaj, dihet fare mirë, madje me vetë pohimin e shiitëve, se Aliu ka qenë më i mirë se djali i tij, Husejni, dhe askush nuk e mori ditën e vrasjes së tij ditë zie dhe vajtimi, po ashtu edhe kalifët para tij. Askush nuk e konsideroi si ditë vajtimi vdekjen e Ebu Bekrit apo vrasjen e Umerit dhe Uthmanit. Madje as vetë ditën e vdekjes së Pejgamberit ﷺ nuk e ka konsideruar kush ditë kujtimi, ku çdo vit duhet të vajtohet me ceremoni të veçantë siç bëjnë shiitët për Husejnin. Dhe mbi të gjitha, urrejtja që ata ushqejnë për sunitë në të gjitha kohërat, sepse gjoja janë fajtorë për vrasjen e Husejnit, kundërshton hapur Kuranin Famëlartë dhe traditën profetike. Vërtet kjo është nga risitë dhe bidatet më të urryera, sepse krijon një ndasi, urrejtje dhe armiqësi mes muslimanëve, madje është shkak për prishjen e besimit të vërtetë, saqë shumë prej shiitëve kanë shkuar në skajshmëri, duke bërë edhe kufër të hapur nëpërmjet sharjeve dhe ofendimeve që ua bëjnë sahabëve dhe, në veçanti, Ebu Bekrit, Umerit dhe Aishes, të cilët i ka lavdëruar vetë Allahu në Kuran. Madje shumë prej shiitëve besojnë se Aliu dhe Husejni kanë atribute hyjnore.

Pikërisht në datën 10 të muajit Muharrem shikojmë në Irak, Iran, Bahrejn dhe vende të tjera, ku shiitët rrahin dhe gjakosin trupat e tyre në shenjë vajtimi për vrasjen e Husejnit dhe në të njëjtën kohë në shenjë urrejtjeje për sunitët të cilët i quajnë përgjegjës për vrasjen e tij. Allahu na ruajttë nga sprovat dhe fitnet e tyre!

Hoxhë Mustafa Tërniqi

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë