Pyetja: Pershendetje ,jam fillestare në namaz ka dy javë që kam fillu,por a është e mjaftueshme një herë sa të mësoj duatë mirë të fal vetëm ikindinë dhe jacinë?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahht, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit.
Fillimisht ju përgëzojmë për këtë iniciativë tendën, shumë të rëndësishme dhe tejet me vend; pra, pendimin me seriozitet nga mosfalja e namazit. Ngase lënia e namazit është ndër mëkatet më të mëdha, për çka nevojitet pendim i sinqert prej saj dhe i menjëhershëm. Andaj edhe njëherë urime për këtë ndryshim tëndin pozitiv dhe kthimin tënd te Krijuesi yt.
Së dyti: Allahu i Lartësuar të paska dashur, përderisa ta lehtësoi pendimin e të udhëzoi në njërën nga veprat më të dashura për të; namazin, andaj falënderoje Allahun enkas për këtë dhunti dhe mirësi, me të cilën e ke gjetur rrugën e shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër.
Së treti: dije se Allahu i Lartësuar e ka obliguar muslimanin me pesë kohë namaz brenda një dite e një nate, që i bie se çdo namaz është i rëndësishëm dhe i kërkuar enkas nga Allahu.
Mirëpo, edhe pse je në fillim të udhëzimit, mundohu që ta kapësh mirë udhëzimin, pra, ashtu sikurse do ta falësh ikindinë e jacinë, ashtu fali edhe namazet e tjera. Me të njëjtat dua, me të njëjtat sure (Kaptina) të Kuranit, mirëpo duke u munduar vazhdimisht që t’i mësosh të gjitha leximet dhe lutjet që kërkohen gjatë namazit.
Mundohu mos t’i vësh veshin pëshpëritjeve të shejtanit, me të cilat mund të na turbullojë mendjen, sidomos në fillim të udhezimit duke na thënë: Ti nuk mundesh me qenë i rregullt në namaz, apo pesë kohë të namazit në ditë janë shumë për ty, nuk mund t’i kryesh, apo ti akoma nuk je mësuar për tu falur mirë, apo pëshpëritje të tjera, me të cilat dëshiron të na stopojë nga udhëzimi, apo të na e paraqes të vështirë dhe të pamundur atë.
Pra fali edhe kohët e tjera të namazit, ashtu sikurse i fal këto që i ke përmendur.
Për fillim, mund edhe të ndihmohesh me ndonjë fletë, ku do ta shruash rrjedhen e namazit e të lexosh prej saj derisa je në namaz, por jo të mbetesh në këtë gjendje.
Gjithashtu, për fillim mund të mjaftohesh me rekatet farz të çdo namazi, por jo të vazhdosh gjatë në këtë gjendje, e pastaj me kohë të fillosh edhe me faljen e suneteve.
Në fund, e lus Allahun e Lartësuar, të ta forcojë zemrën në udhëzimin e Tij, ta bëjë të dashur namazin dhe veprat e tjera të mira për ty, dhe ta udhëzojë çdo musliman, në praktikimin e Islamit?
Hoxhë Dr. Rasim Haxha