Pyetja:
Jam mbi moshën 30-vjeçare dhe s’po e gjej fatin tim që të martohem, i cili po më brengos shumë. Të afërmit/et po martohen, megjithëse nuk janë musliman/e, por janë rehatuar mirë, me familje, me shtëpi, me fëmijë me të gjitha. Ndërsa unë falem, lutem dhe kot, jam e papunë, pa fat, pa asgjë, aq sa kohëve të fundit ka filluar të më lëkundet besimi. Po e pyes veten ndoshta me të vërtetë nuk ka Zot!
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
E kemi parasysh situatën e cila ju shtyn që të manifestoni pesimizëm në lidhje me gjendjen tuaj, prandaj ne do të mundohemi t’ju rikujtojmë disa gjëra të rëndësishme, të cilat shpresojmë se do t’jua largojnë këtë ndjenjë.
Fillimisht ju duhet ta dini se dhënësi i të mirave është vetëm Allahu i Lartmadhërishëm dhe nëse Ai i jep dikujt diçka nga të mirat e kësaj bote, kjo nuk është provë se Allahu e do atë njeri. Të mirat e kësaj bote i dhurohen atij që Allahu e do dhe atij që nuk e do, atij që beson në Të dhe atij që nuk beson (jobesimtarit). Ndërsa imani dhe shpëtimi në botën tjetër i jepet vetëm atij që Allahu e do.
Pejgamberi, ﷺ, na tregon se nëse kjo botë do të vlente tek Allahu vetëm sa krahu i mushkonjës, nuk do t’i lejonte jomuslimanit ta shijonte prej saj madje as një pikë ujë. Ti gjithsesi duhet ta dish se Allahu i Lartmadhëruar nuk e bëri që mirësitë e kësaj bote të jenë shpërblime për besimtarët dhe të devotshmit. Dëgjo me çfarë e këshillon Ai të Dërguarin e Tij ﷺ, në Kuran: “E ty të mos shkojnë kurrsesi sytë në ato (kënaqësi) me çka Ne i pajisëm disa prej tyre (jomuslimanëve), as mos u brengos për ta (pse nuk besuan), e ndaj besimtarëve bëhu i butë.” (Hixhër: 88)
Gjithashtu thotë: “Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (jomuslimanë), e për t’i sprovuar me të, sepse shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.” (Ta Ha: 131)
Allahu i Lartësuar po ia tërheq vërejtjen Muhamedit ﷺ, duke i thënë: “… shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.” (Ta Ha: 131)
Kështu dije se shpërblim dhe kënaqësi me plot kuptim të fjalës është ajo e përhershmja, kurse kjo me çfarë kënaqen njerëzit në këtë botë është vetëm sprovë dhe kënaqësi shumë e shkurtër.
Gjithashtu, Allahu i Madhërishëm në suren “Kehf” (kthehu tek ajetet 32-45 të kësaj sureje) na sjell shembullin e pronarit të dy kopshteve dhe një të varfri. Pronari i dy kopshteve, nga krenaria dhe të mirat që posedonte, u mashtrua dhe mendoi se është më i privilegjuar se ky i varfri, i cili nuk kishte gjë dhe bëri kufër (mosbesim) duke mohuar ringjalljen dhe duke pretenduar se edhe po që se do të ndodhte ringjallja, ai do të jetë person më i afërt dhe më i respektuar tek Allahu (pasi ishte i pasur). Kurse i varfri ia tërhoqi vërejtjen për këto fjalë dhe e këshilloi që të jetë falënderues ndaj Allahut, i Cili ia dhuroi të gjitha këto. Por ai mbeti kryeneç, derisa Allahu i Plotfuqishëm e dënoi dhe ia shkatërroi tërë pasurinë me të cilin mburrej.
E përmenda këtë shembull kuranor që të kuptojmë se përllogaritja e njerëzve duke shikuar gjendjen materiale, pozitën, pasurinë, prejardhjen dhe mirësitë e tjera të kësaj bote nuk janë peshore e vërtetë me të cilin shikohet se një njeri është i begatuar apo jo. Vlerësim real i njeriut është në bazë të imanit që ka dhe i fundit ku do të shkojë. Besimi dhe imani është dhuntia më e madhe dhe më e begatshme që posedon njeriu.
Pastaj, ju duhet ta kuptoni se begatitë e Allahut janë shpërndara te njerëzit, varësisht sipas urtësisë së Tij, gjë të cilin njeriu nuk mund ta kuptojë kurrë plotësisht, prandaj Ai me urtësinë dhe diturinë e Tij dikujt i jep bukuri, dikujt i jep pasuri, tjetri martohet, tjetri ka shëndet (nuk ka sëmundje) dhe kështu me radhë. Kësisoj janë edhe sprovat të shpërndara në njerëz, dikush sprovohet me sëmundje, dikush me humbjen e më të afërmve, dikush me ndonjë fatkeqësi, por edhe dikush mund të sprovohet me vonimin e martesës.
Më i lumturi dhe më i kënaquri nga të gjithë këta është ai që për begatitë të cilat i përjeton, falënderon Dhuruesin e tyre dhe në sprova bën durim duke shpresuar shpërblimin tek Allahu i Gjithëmëshirshëm dhe duke qenë i bindur se Ai nuk e ngarkon njeriun më shumë se ç’mund të durojë.
Dëgjo çfarë thotë Allahu i Lartësuar për falënderuesit: “Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat.”
Kurse për mohuesit dhe mospërfillësit e mirësive thotë: “…e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!” (Ibrahim: 7)
Dhe dëgjo çfarë thotë Allahu i Plotfuqishëm për durimtarët dhe ata që i mbështeten vetëm Atij që është i denjë për mbështetje: “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.” (Inshirah: 5-6)
“E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën (gjendjen).” (Talak: 3)
“E kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë.” (Talak: 2)
Në fund të kësaj përgjigjeje, ju themi se nuk keni nevojë për shqetësim, ju ende keni kohë. Kemi shumë femra të cilat janë martuar pas një kohë pritjeje. Martesa është caktim i Allahut dhe në dijen e Tij është pse te disa ndodh më herët e te disa më vonë. Prandaj dorëzojuni Atij, në Dorën e të Cilit është çdo gjë dhe që nuk i ikën asnjë çështje.
Do të mundohemi t’i përmbledhim disa pika që ju duhet t’i ndërmerrni në lidhje me gjendjen tuaj, pasi nuk po arrijmë të ndalemi në secilën:
1. Shpeshto lutjet ndaj Allahut dhe kërko vazhdimisht strehim me mëshirën e Tij. Mos gabo të paragjykosh se je e harruar nga Ai, pasi Ai kurrë nuk harron, njeriu është ai që harron.
2. Zgjidh shoqëri të mirë, me femra muslimane besimtare dhe të devotshme. Me këtë do të arrish dy gjëra me rëndësi;
– Së pari do të arrish ta mbrosh veten nga dobësimi i imanit, pasi njeriu ndikohet nga të tjerët dhe është në besimin e shokut me të cilin shoqërohet.
– Pastaj, kontakti me njerëz të mirë të bën ty që të njihesh tek ata dhe të shohin mirësjelljen tënde. Pa dyshim do të dalë dikush të ketë ndonjë të afërm i cili është për martesë dhe ju do të ishit shans për të.
Bëhu e mirësjellshme me të gjithë dhe mos u ngatërro me askënd për punë të panevojshme.
3. Largohu nga mëkatet dhe përpiqu të jesh zbatuese e rregullt e obligimeve të Allahut, duke filluar me namazin e mbulesën.
4. Nëse ke prindër, sillu mirë me ta dhe ndihmoji. Dije se lutja e prindit për fëmijën është e pranuar tek Allahu.
5. Ji i kënaqur me atë që ke dhe mos u mashtro me të tjerët, pasi ti ke imanin, i cili është begatia më e madhe.
Lus Allahun e Lartësuar që të freskojë shpirtin tënd me bindje të paluhatshme dhe të ta shuaj dyshimin me ujin e besimit! Gjithashtu e lus Atë që të largojë prej teje mërzinë dhe pikëllimin dhe të lëshojë mbi sytë e tu siguri, qetësi dhe të t’i hapë dyert e zgjedhjes me shpejtësi! Amin!
Alaudin Abazi
—————————
[1] Shënon Tirmidhiu, Ebu Nuajmi dhe të tjerët, ndërsa Albani e cilëson të saktë.