Pyetja:
Kam parë ëndërr pas namazit të sabahut se kam bërë marrëdhënie dhe kam shkuar në punë ashtu pa u pastruar pasi s’më ka rënë ndërmend. Jam pastruar menjëherë pasi jam kthyer në shtëpi. Çka duhet të veproj?
***
Përgjigjja:
Elhamdulilah që keni falur namazin e sabahut me kohë dhe vazhdofshi të jeni i rregullt në përfilljen e namazit dhe të gjitha obligimeve të tjera fetare!
Ju asgjë nuk keni gabuar dhe nuk jeni mëkatar për faktin se keni qëndruar një pjesë të ditës i papastër (xhunub) pa qëllim, por nga harresa. Mirë keni vepruar që jeni pastruar menjëherë kur ju është dhënë rasti. Nëse ju ka zënë ndonjë namaz si p.sh. namazi i drekës në punë dhe nuk keni mundur ta falni derisa i ka dalë koha, atëherë keni qenë të obliguar, që ta falni namazin e drekës pastaj të ikindisë pasi jeni pastruar (keni marr gusëll). Pra, keni mundur të vazhdoni orarin e punës, por jo duke e rrezikuar namazin, d.m.th. jo t’ju kalojë namazi i drekës për shkak të gjendjes së xhunubllëkut.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku