Pyetja:

Kam falur 5 kohët e namazit, por tani kam probleme me unazat e qafës dhe nuk mund të falem. Çfarë më këshilloni?

***

Përgjigja:

Ka shumë prej njerëzve që thonë se jam falur por tani kam rënë në depresion dhe e kam lënë namazin.. Apo ka prej atyre që kur janë në udhëtim, musafir apo të sëmurë nuk falen dhe mendojnë se kështu lirohen nga namazi, unë u them se namazi është gjithmonë obligim.

Namazi është gjithmonë obligim, pavarësisht a jemi në udhëtim, apo jemi musafir, apo jemi të sëmurë, namazin duhet ta falim!

Namazi nuk falet vetëm në disa raste shumë specifike për shembull kur gruaja është lehone, atëherë kur një grua lind dhe derisa kalon periudhën e lehonisë ajo nuk falet. Gjithashtu gruaja nuk falet gjatë ciklit menstrual, falja gjatë ciklit menstrual është e ndaluar, haram, namazi nuk vlen andaj ajo nuk duhet falur. Dhe posa ajo të pastrohet nga cikli menstrual apo lehonia ajo obligohet të fal namazin.

Rastet të tjera ku nuk obligohet namazi nuk ka, përderisa njeriu është me mendje të shëndosh, i vëmendshëm dhe i kupton gjërat. Shpeshherë marrim të drejtën të ia lehtësojmë vetës disa çështje e që realisht nuk ka lehtësim për to, kjo në kuptimin e braktisjes ndërsa ka lehtësim në formën/kuptimin e praktikës.

Andaj duhet pyetur që t’i marrim lehtësimet e duhura, që këto lehtësime realisht lehtësojnë zbatimin e obligimit, e jo të na bëjnë këto lehtësime që ta braktisim obligimin ngase kjo është edhe e ndaluar edhe na shpie në mëkat, Allahu na ruajttë!

Prandaj fakti që je sëmurë dhe ke dhimbje nuk nënkupton që nuk e ke borxh namazin, e nuk duhet të falesh. Por namazi gjithashtu nuk do të thotë se për ta falur duhet ta dëmtosh veten, duhet përjetuar dhimbje, jo larg asaj, por falu ashtu siç ke mundësi.

Ngase ti me këtë dhimbje a ushqehesh, a rrinë, a shikon televizor? E si e bënë këtë punë?
– “Po rri shtrirë.” Epo ashtu edhe namazin fale shtrirë.
– “Rri ulur sepse nuk mund të rri në këmbë.” Në rregull, falu ulur.

Domethënë ashtu siq i kryen gjërat e tjera që i ke të domosdoshme në jetë ashtu fale edhe namazin. Ngase namazi nuk është kusht të falet vetëm në këmbë por mund të falet edhe në pozicione tjera kur njeriu ka nevojë për këtë. Muhamedi ﷺ ka thënë: “Faluni në këmbë.”

Kjo është esenca, po nëse nuk ke mundësi falesh ulur, po nuk pate mundësi falesh i shtrirë apo në krahë, derisa lejohet që njeriu të falet edhe me lëvizjen e qerpikëve, me lëvizjen e syve të tij kur nuk i funksionon asnjë gjymtyrë. Domethënë falu ashtu siç ke mundësi por namazin mos e le.

Andaj edhe në këtë situatë meqë ke dhimbje të kurrizit, Allahu të shëroftë! Allahu të ndihmoftë! Domethënë falu por përshtate namazin tënd me pozicionet që ke mundësi të i përballosh, ulur, shtrirë, mbështetur apo sido qoftë. Me rëndësi është që të falësh namazin ngase namazi është obligim, por që lehtësimet janë që namazin ta falim në pozicionet që na e mundëson gjendja jonë shëndetësore.

Hoxhë Enis Rama

 

Comments are closed.