Pyetje: Kam shumë vesvese në abdes e namaz, në leximin e sures Fatiha në namaz, më duket se kam gabuar, se nuk i kam larë mirë pjesët e abdesit dhe më duket se më dalin gazra gjatë namazit. Si t’i largoj ato?
Përgjigje: Të gjitha këto vesvese largohen me një parim të cilin e ka vendosur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, i cili është: bindja nuk largohet me dyshim. Pra, kur e lexon suren Fatiha dhe të vjen dyshimi se ke gabuar në shqiptim të shkronjave apo fjalëve, atëherë këtë e llogarit si dyshim dhe nuk e merr parasysh, e injoron. Gjatë marrjes abdes, kur të vijnë dyshimet e vesveset se nuk je duke i larë mirë, i injoron ato. Dyshimi nuk e largon bindjen.
Gjithashtu për dyshimin që të vjen për daljen e gazrave në namaz, ka ardhur në hadith: “Nëse dikush ka probleme me bark, mos të largohet nga namazi derisa të dëgjojë zhurmë apo të nuhasë erën (e keqe të gazrave)”, hadith ky prej të cilit dijetarët kanë nxjerrë këtë parim që përmendëm. Kështu që, kur je me abdes dhe të vjen dyshimi se a e prishe, për shkak se ke probleme me bark apo për shkak të vesveseve, atëherë mos llogarit se e ke prishur abdesin dhe namazin, përderisa nuk dëgjon zhurmën apo erën e gazrave, e kur ndodhë të dëgjosh zhurmën apo nuhasësh erën atëherë këtu pra vjen bindja se e ke prishur abdesin dhe më nuk mbetet dyshimi.
Njëjtë vepron dhe me vesveset në namaz sa i përket leximit apo abdesit, përderisa nuk je i bindur 100% se ke gabuar, injoroji e mos i merr parasysh, dhe namazin e abdesin i ke në rregull ngase kështu na ka mësuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe kështu është feja e Allahut.
Sa herë që muslimani i ushqen vesveset, le ta dijë se me këtë e ka kundërshtuar këtë rrugë të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i cili ka treguar se shejtani është ai që i sjellë cytje e vesvese njeriut. Rruga e vetme e shpëtimit nga vesveset është injorimi, mos marrja me to. Në momentin kur nisin t’i shfaqen vesveset besimtarit të dijshëm, ai i injoron ato dhe kështu nuk i shtohen. Por, nëse shfaqen dhe i pranon ato dhe fillon të merret me to (analizon e mendon se a tha mirë atë e këtë fjalë, a e bëri këtë e atë etj.), këtu veçse ka rënë prehë e grackës së shejtanit dhe e ka futur në rrethin e vesveseve, e pastaj shkojnë duke iu shtuar ato. Shejtani kur nuk mund ta ndalë njeriun nga adhurimi, atëherë mundohet t’ia vështirësojë. Një prej metodave e intrigave që përdorë për këtë, janë vesveset (me të cilat e cyt në abdes, në namaz etj.).
Duhet lutur Allahun sinqerisht për ta shpëtuar nga vesveset “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” Gafir 60. Dhe pastaj duhet marrë shkaqet. Nga shkaqet është injorimi i vesveseve, mos marrja parasysh e tyre, kërkimi i mbrojtjes prej shejtanit të mallkuar, bërja e dhikrit të ligjësuar në kohë të ndryshme (brenda ditës dhe natës). Kur Allahu sheh sinqeritetin e tij dhe nevojën e madhe që e shfaq ndaj Tij duke e lutur, atëherë Ai do ta ndihmojë.
Hoxhë Lulzim Perçuku